Site icon PrishtinaPress

Batusha: Prindërit që keqpërdorin mjetet e rimbursimit të librave do të përballen me gjykatat

Deputeti i Vetëvendosjes, Agon Batusha ka deklaruar se prindërit të cilët eventualisht do të abuzojnë me të hollat që Ministria e Arsimit parashihet t’ua rimbursojë në llogaritë e tyre për blerjen e teksteve shkollore, do të përballen me sanksione ligjore.

Kjo sipas Batushës do të bëhet përmes evidentimit të librave nga mësimdhënësit të cilët do t’i kërkojnë librat nga nxënësit dhe sipas tij, në qoftë se do të hasin në keqpërdorime të tilla atëherë prindërit e tillë do të përballen me gjykatat.

“Po ato me siguri evidentohen nga mësuesja ose arsimtari, për shkak se ata i kërkojnë librat, ata duhet të lexojnë dhe të kenë detyra të shtëpisë. Ato raste duhet të evidentohen, natyrisht jetojmë në Kosovë nuk përjashtohet që një përqindje mundet edhe ta keqpërdorë por institucionet duhet të sigurohen që kjo të mos ndodhë, të bëjnë të gjitha veprimet e mundshme që ta minimizojnë këtë veprim. Ata që janë të papërgjegjshëm pastaj do të përballen edhe me sanksione ligjore, ku nëse dalin kësi lloj keqpërdorimesh natyrisht që do të përballen edhe me gjykatat”, tha Batusha në emisionin “Ditari” në Tëvë1.

Kurse sa i përket rimbursimit të këtyre mjeteve Batusha tha se “mjafton ta kenë vetëm një email secili prind dhe të hapë llogarinë e- Kosova, e cila hapet për 3-4 minuta ose 5 maksimum “.

Ndryshe, Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci nuk e ka saktësuar nëse versioni i blerjes së teksteve shkollore nga ana e prindërve dhe më pas rimbursimi i mjeteve përmes aplikimit në platformën “eKosova” do të jetë vendim përfundimtar i Qeverisë së Kosovës.

Vendimin përfundimtar ajo kishte deklaruar se do ta bëjnë publik gjatë ditës së mërkurë apo të enjten në mëngjes.

Kurse shqetësimin e saj për këtë çështje e ka shprehur edhe anëtarja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Shqipe Pantina e cila ka hedhur në pikëpyetje nëse prindërit janë të përgjegjshëm mjaftueshëm që mos t’i keqpërdorin mjetet që rimbursohen nga Qeveria për blerjen e teksteve shkollore për fëmijët.

Pantina është shprehur e bindur se në Kosovë ka prindër të papërgjegjshëm, sa t’i blejnë fëmijëve gjëra të tjera, e jo libra.

Exit mobile version