Site icon PrishtinaPress

Baton Haxhiu: Vjosa Osmani e Edi Rama në marrëdhënie të ngushtë, Rama i ka ndihmuar me takimet në SHBA

­

Gazetari Baton Haxhiu deklaroi në “Pressing” në T7 se kryeministri shqiptar Edi Rama i ka ndihmuar presidentes së Kosovës Vjosa Osmani për takimet që ajo ka zhvilluar në SHBA, në shtator. Sipas gazetarit Haxhiu, Osmani dhe Rama janë në një marrëdhënie “goxha të ngushtë”. Ai tha se Osmani ka kërkuar bashkëpunim me Ramën për të koordinuar takimet në Nju Jork, dhe sipas tij “kjo nuk është bërë jashtë konsultimeve me Albin Kurtin”.

Gazetari Haxhiu e ripërsëriti në Pressing se presidentja Osmani është ndihmuar nga kryeministri Rama për takimet që i ka zhvilluar në SHBA.

“Në një moment kur kriza arriti kulmin, kur forcat Speciale hynë në veri, pastaj u kompliku, para se me ndodh Banjska ka ndodhur një gjë e rëndësishme. Ndërmjetësimi i Edi Ramës, për takimet e Vjosa Osmanit në Amerikë. Edi Rama i ka ndihmuar gati në secilin takim i cili ka ndodhur në Amerikë, në shtator. Është një marrëdhënie e Vjosa Osmanit me Edi Ramën goxha e ngushtë”, tha Haxhiu, transmeton Gazeta Express.

“Vjosa Osmani kur ka kërkuar një bashkëpunim me Edi Ramën për të koordinuar takimet në Nju Jork, nuk mendoj që e ka bërë jashtë konsultimeve me Albin Kurtin”, u shpreh ai tutje.

Tutje, Haxhiu tha se Osmani e ka marrë mandatin nga SHBA se do ta shtyjë përpara Asociacionin.

“… që derisa ishte në Nju Jork ndodhi Banjska, e bëri që Vjosa Osmani të kthehet në një figurë politike që i ndihmon Albin Kurtit për ta pranuar ndërtuar një proces dhe për ta pranuar këtë që ka ndodh pastaj në Bruksel. Ky është rrëfimi i Asociacionit dhe kjo që ka ndodhë nga shkurti e këndej”, përfundoi ai.

 

Exit mobile version