Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Njësinë Antikontraband të Doganës, Krimet Ekonomike dhe Administratën Tatimore të Kosovës, ka zhvilluar një operacion në Leposaviq, duke bastisur 8 lokacione në zonat e Soqanicës, Kamenisë dhe Leshakut.
Në rezultatet e bastisjeve, autoritetet kanë zbuluar se dy prej bizneseve ishin të regjistruara ligjërisht, ndërsa gjashtë ishin të paregjistruara.
Dyshohet se këto ndërmarrje kanë përdorur mallra të kontrabanduara.
Deri tani, nuk ka të arrestuar në lidhje me këtë operacion, por janë konfiskuar sasi të konsiderueshme mallrash të dyshuara si të kontrabanduara.
Njësiti Antikontraband e Doganës ka menaxhuar konfiskimet e këtyre mallrave.
“Sot gjatë ditës Policia e Kosovës respektivisht Rajoni Mitrovica Veri ka bastisur 8 lokacione në rajonin e Leposaviqit (2 në Soqanicë, 2 në Kamen dhe 4 në Leshak). Nga këto biznese 2 kanë qenë të regjistruara e 6 të paregjistruara. Dyshimi ka qenë për mall të kontrabanduar me ç’ rast në bastisje janë thirr edhe Njësiti Antikontraband i Doganës, Krimet Ekonomike dhe Administrata Tatimore e Kosovës. Nuk ka të arrestuar, ndërsa konfiskimet e mallit janë menaxhuar nga Njësiti Antikontraband e Doganës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Zyrtarët bëjnë thirrje të veçantë qytetarëve të Veriut të Kosovës që të regjistrojnë bizneset e tyre në mënyrë të rregullt dhe të mos përdorin mallra të paregjistruara.
Pasi siç thuhet në njoftim, pasojat juridike për përdorimin e mallrave të kontrabanduara janë të rënda.