2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Buy now

spot_img

Bashota për konferencën e Rambujesë: Mospëlqimi i komandantëve të zonave, do të shkaktonte probleme

Në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, dëshmitari Sokol Bashota, tha të martën në Hagë, se ka pasur hezitime për shkuarjen në Ramubuje, e që një qëndrim të tillë e kishte edhe Adem Demaçi.

Duke u përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Mishetiq, dëshmitari tha se nëse marrëveshja do arrihej pa pajtimin e komandantëve të zonave, do të kishte mjaft probleme.

“Gjatë negociatave për shkruaje në Rambuje, ka pas zëra të cilët nuk kanë besuar shumë në këtë konferencë dhe kjo u është transmetuar edhe disa komandantëve të zonave dhe pikërisht për këtë ka shfaq hezitim Adem Demaçi”, tha Bashota.

Ai tha se në dokumentet bazë të marrëveshjes, ka pasur elemente të kontestueshme dhe duke iu referuar atyre dokumenteve, Demaçi ka thënë se nuk ka diçka të mirë nga kjo konferencë dhe nuk do të dalë diçka e favorshme për Kosovën.

Ndërsa, sa i takon komandantëve të zonave, dëshmitari tha se shumë prej tyre kanë qenë kundër, duke përfshirë Rrustem Mustafën dhe Shukri Bujën.

“Nuk e di se sa kanë qenë kundër. Por e di që më duket Remi ka qenë kundër, Shukri Buja më duket ka qenë kundër. Të tjerët nuk më kujtohet, por e di që kanë qenë kundër shkuarjes në Rambuje”, tha ai.

“Ka pas zëra se në qoftë se nënshkruhet një marrëveshje në Rambuje që nuk i plotëson kërkesat e shqiptarëve, komandantët e zonave kanë thënë që ne nuk do ta pranojmë. Prandaj, është dashtë me u pyet. Madje, kujtoj se është marrë një pushim mes Rambujesë dhe Parisit pikërisht për me e marrë qëndrimin dhe opinionin e komandantëve të zonave për këtë çështje”, shtoi Bashota.

I pyetur se çfarë do të ndodhte me marrëveshjen në rast që komandantët e zonave nuk do të pajtoheshin, dëshmitari u përgjigj se mospëlqimi i komandantëve të zonave do të shkaktonte probleme.

“Nuk e di se si kishte me shku puna, por mendoj që do të ishte shumë serioze. Mospëlqimi i komandantëve të zonave do të shkaktonte mjaft probleme”, tha Bashota.

Dëshmitari tha se Adem Demaçi kishte autoritet mbi komandantët e zonave e po ashtu shpesh këta të fundit e kërkonin Demaçi që të ishte prezent në takime.

Të hënën, dëshmitari ka deklaruar se nuk ka qenë i përfshirë në arrestimin e Cen Deskut e Jakup Kastratit dhe as të dy gazetarëve serbë. Për Cen Deskun, tha se ka qenë më tepër se skandaloze ndalimi i tij. Ndërsa, për Jakup Kastratin ai tha se nuk ka pasur asnjë arsye të vetme edhe për ndalimin e tij.

Ndërsa, për kohën se kur kishte ndodhur shkëmbimi e po ashtu edhe takimi me ndërkombëtarët për këtë çështje, dëshmitari tha se ka marrë udhëzime nga Adem Demaçi dhe asnjëherë nga Hashim Thaçi.

Me kaq mbaroi pyetjet avokati Luka Mishetiq e që vazhdoi me pyetje pastaj mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Rodney Dixon.

Dëshmitarit iu tregua një raport nga MUP-i serb, i cili tregonte për disa dokumente të konfiskuara nga UÇK-ja, e që thoshte se Sokol Bashota kishte mbajtur shënime në një takim të Shtabit të Përgjithshëm më 1998.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nuk e di nëse ka mbajtur shënime në atë takim dhe nëse shkrimi është i tij.

Sipas avokatit, Zyra e Prokurorit të Specializuar e kishte marë këtë raport kur kishte kërkuar nga autoritetet e Serbisë që të trgeojë për origjinën dhe mënyrën e gjetjes së këtyre dokumenteve.

“Prova më konkrete lidhur me origjinën, kohën, vendin ose mënyrën e gjetjes së dokumentit nuk janë konstatuar sepse një pjesë e dokumentacionit të MUP-it është shkatërruar gjatë bombardimeve ajrore kundër Serbisë gjatë vitit 1999 dhe për pasojë hollësi lidhur me origjinën e dokumenteve të dhëna më poshtë nuk janë gjetur”, lexoi Dixon.

Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit, ndërsa dëshmitari Bashota përfaqësohet nga avokati Artan Qerkini.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi/

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img