Bashkimi Evropian: Është koha që kosovarëve t’u hiqen vizat

75
Advertisement

Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë ka rikonfirmuar se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret për liberalizim dhe rrjedhimisht është koha e duhur që kosovarëve t’u hiqen vizat. Ata gjithashtu vlerësojnë se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet e saj për ta forcuar sistemin e drejtësisë, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Advertisement

Ndonëse Kosova ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara nga Bashkimi Evropian për heqjen e vizave, 28 shtetet anëtare të BE-së ende s’e kanë dhënë fjalën e fundit për këtë proces. Zyrtarë nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë i kanë thënë “Zërit” se pavarësisht që u takon shteteve anëtare të marrin një vendim final, është koha e duhur që kosovarëve t’u liberalizohen vizat. “Procesi i vendimmarrjes së BE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën po vazhdon.

Siç tha përfaqësuesja e lartë e BE-së Mogherini gjatë takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Helsinki, Komisioni Evropian i ka sugjeruar Këshillit që ka ardhur koha për të marrë vendimin për liberalizimin e vizave për Kosovën. Ajo me këtë rast shtoi se tani i takon Këshillit ta marrë atë vendim, duke shprehur besimin se është koha e duhur që populli i Kosovës të marrë liberalizmin e vizave”, thuhet në përgjigjen e kësaj Zyre.

Mirëpo derisa heqja e vizave të ndodhë, Zyra e BE-së ka theksuar se Kosova duhet t’i vazhdojë përpjekjet për sundimin e ligjit, të sigurisë dhe të migracionit. “Siç e dini raporti i Kosovës për vitin 2019 e ka përsëritur mbështetjen e Komisionit Evropian për përfundimin e këtij procesi si çështje urgjente. U takon shteteve anëtare të BE-së, të përfaqësuara në Këshillin e BE-së, së bashku me Parlamentin Evropian, të marrin vendimin përfundimtar. Ndërkohë është e rëndësishme që Kosova t’i demonstrojë përpjekjet e saj të vazhdueshme për sundimin e ligjit, për të pasur nën kontroll migrimin dhe sigurinë në mënyrë që të përgatisë një kontekst pozitiv për vendimin përfundimtar të shteteve anëtare të BE-së”, thuhet tutje në përgjigjen e tyre.

Në anën tjetër njohësit e çështjeve të integrimit shprehen skeptikë se deklaratat e fundit të zyrtarëve të BE-së mund ta përshpejtojnë heqjen e vizave. Sipas tyre, një gjë e tillë varet direkt nga përmirësimet që Kosova i bën në fushën e sundimit të ligjit, si dhe indirekt nga rrjedhshmëria e bisedimeve me shtetin serb.

PostAdssFotoja e reklamës