Bashkësia Islame e Kosovës ka reaguar ashpër dhe ka dënuar sulmin fizik ndaj imamit të xhamisë së fshatit Lupç të Komunës së Podujevës.
Nga BIK-u thonë se rrahja e imamit në vendin e tij të punës është akt i papranueshëm dhe është sulm edhe mi xhaminë dhe xhematin e asaj xhamie.
Reagimi i plotë:
Dënojmë me ashpërsinë më të madhe sulmin mbi imamin e xhamisë së fshatit Lupç, të komunës së Podujevës, Zeqir ef. Berishës.
Sulmi i mbrëmshëm mbi imamin në hapësirat e xhamisë, në vendin e tij të punës, është akt i papranueshëm, madje përveçse sulm mbi imamin është edhe atak mbi xhaminë dhe xhematin e respektuar.
Imami është autoriteti më i lartë fetarë në xhematë, andaj atakimi i tij është atakim i vlerave dhe misionit që përfaqëson ai, e në këtë rast është edhe atak mbi Bashkësinë Islame të Kosovës.
Mbështesim dhe i qëndrojmë afër imamit të respektuar, e nga xhemati kërkojmë që të distancohen nga autorët e sulmit, ndërsa nga organet e drejtësisë kërkojmë që të japin vendimet e duhura, sepse është sulmuar imami – autoriteti zyrtar fetar në vendin e tij të punës, si dhe është atakuar hapësira e xhamisë, e cila është e dedikuar për lutje e ibadete.
Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës
Prishtinë, më 22 korrik 2022