Qeveria e Kosovës planifikon të kalojë Projekt-kodin e ri Civil gjatë muajit maj. Kështu ka thënë kryeministri Albin Kurti të enjten (25 prill), gjatë një fjalimi në ngjarjen e organizuar nga Partia Socialdemokrate e Gjermanisë, SPD, në hapësirat e Bundestagut gjerman, për nder të 75-vjetorit të themelimit të Këshillit të Evropës
Kryeministri u shpreh i sigurt se do të arrijë shumicën parlamentare që ky projekt-kod të kalojë.
“Për këtë unë personalisht do të ndërtoj një shumicë parlamentare – dhe do të bëj thirrje për mbështetje të gjerë për këtë edhe nga partitë opozitare. Vendimi për mbledhjen e qeverisë për këtë çështje tashmë është marrë”, ka deklaruar Kurti.
Kurti ndërkaq, në këtë tubim ka thënë se kalimin e Kodit të ri Civil, Kosova do ta bëjë “sepse është e drejtë, sepse është një e drejtë, sepse është në Kushtetutën tonë dhe sepse e dimë që Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka nxjerrë aktgjykime duke kërkuar që kjo të bëhet”.
“Ne e dimë se ka vende në Këshillin e Evropës për një kohë të gjatë që e kanë injoruar N gjykatën për këtë. Kosova do të jetë ndryshe. Në këtë mënyrë duam të frymëzojmë të tjerët”, është shprehur kryeministri.