Bashkëpunëtorja e ngushtë e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi pritet të votohet në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës për anëtare të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), raporton portali Front Online.
Bëhet fjalë për kandidaten për anëtare të Bordit, Mimoza Mustafa, e cila sipas burimeve të portalit Front Online, është bashkëpunëtore e ngushtë e zëvendëskryeministrit Bislimi në Universitetin Amerikan të Kosovës.
“Mimoza Mustafa është bashkëpunëtore e ngushtë e zv/kryeministrit Besnik Bislimi në AUK. Ajo pritet të votohet të enjten në Kuvend për anëtare të Bordit të BQK-së”, thotë ky burim.
Zëvendëskryeministri Bislimi edhe në formularin e deklarimit të pasurisë e ka potencuar se është edhe profesor në AUK, ku ka të hyra prej 3780 €. Ndërsa Mimoza Mustafa është ligjeruese në AUK që nga viti 2006.
Përpos Mimoza Mustafës në garë për anëtarë të Bordit të BQK-së është edhe një zyrtar tjetër i VV-së (Bashkim Nurboja), Bedri Peci, But Dedaj dhe Kosovare Ukshini. Njëri prej këtyre 5 emrave duhet ta marrë shumicën e votave të deputetëve të Kuvendit për Bordin e BQK-së.
Përndryshe, Kuvendi i Kosovës të enjten ka seancë, ku pika e 36 e rendit të ditës është: Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë jo-ekzekutiv të Bordit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.
Zëvendëskryeministri Bislimi pak ditë më herët tha se Lëvizja Vetëvendosje i ka disa ekspertë dhe se nuk i ka marrë këta ekspertë për t’i futur turshi, por i ka marrë për t’i avancuar proceset.
“Gjithkund ku ne mendojmë që ekspertët tanë mund t’i avancojnë proceset, do të jemi të lumtur nëse mundemi t’i përdorim në atë drejtim, por kjo nuk hyn në kategorinë e emërimeve politike”, pati thënë Bisilimi.