Ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, nxiti reagime të shumta pas deklaratës që bëri ndaj Bashkimit Evropian, duke e quajtur “tigër prej letre”.
Mbrëmë vonë ajo reagoi pas kritika që mori, duke mbrojtur qëndrimin e saj.
Lidhur me deklaratën e saj, ish ambasadori i Kosovës në Emiratet Arabe, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic, se qëndrimi i saj është i pasaktë, i padrejtë dhe paraqet mjerimin e politikës së jashtme të vendit.
Sipas tij, retorika e përdorur kineze dhe sjellja qesharake e Gërvallës, është në kundërshtim të plotë me aspiratat e Kosovës.
“Qëndrimi i Zv. Kryeministres së Kosovës dhe Ministres së punëve të Jashtme është i pasaktë, i padrejtë dhe paraqet mjerimin që e ka katandisur politikën e jashtme por edhe të brendshme të Kosovës. Shërbimi me retorik kineze dhe sjellja qesharake e Ministres si me qenë inspektor i përgjithshmen i politikës së BE apo si me qenë përfaqësuese e shteteve armiqësore të BE është në kundërshtim të plotë me aspiratat e popullit dhe shtetit të Kosovës që një ditë Kosova të jetë pjesë e BE aty ku e ka vendin”, thotë ai.
Arifi potencon se reagimi i Lajçak dhe Escobar ndaj Gërvallës tregon rritjen e syçeltësisë së tyre ndaj reagimeve shumë të pabesa të asaj dhe Kurtit.
“Në të kaluarën ka ndodhur që ndonjë Ministër të fliste diçka joadekuate dhe shpeshherë reagimi nga SHBA dhe BE ose ishte heshtja ose reagim më diplomatik. Në këtë rast, reagimi i menjëhershëm edhe i Escobarit, e edhe Lajçakut, flet për një rritje të syçeltësisë së tyre ndaj reagimeve shumë të pabesa të Ministres por edhe Kryeministrit”, shprehet ai për Gazeta Blic.
Sipas tij, dorëheqje duhet të japë përveç Gërvallës, edhe Kurti, pasi politika e tyre po e afron Kosovën me humnerën.
“Dorëheqje jo Donika vetëm. Albini duhet ta marrë Donikën edhe bashkë te japin dorëheqje. E di se Albini ka popullaritet të madh në Kosovë dhe diasporë dhe shumëkujt s’do t’i pëlqejë kjo që them, por për çdo ditë që Kosova udhëhiqet nga kjo politikë, çdo ditë e më shumë e largon e nuk e afron Kosovën tek sovraniteti i plotë e as tek BE e NATO. Kjo politikë e afron Kosovën veç me humnerën”, vlerëson ish ambasadori.
Por, ai thotë se para se ata të japin dorëheqje, duhet ta publikojnë listën e plotë të sanksioneve nga BE për Kosovën, që po e mbajnë të fshehtë.
“Para se ta japin dorëheqjen, e kanë obligim ligjor të dalin dhe publikojnë listën e plotë të sanksioneve që shtetet e BE-së ia kanë vendosur Kosovës. Këto sanksione Qeveria e Kosovës po i mban të fshehura nga populli”, deklaron Avni Arifi për Gazeta Blic.
Ndërsa, profesori Muhamet Kelmendi, vlerëson se deklarata e Gërvallës ishte qesharake dhe e pamatur.
“Kundër deklaratës së Gërvallës ishte emisari për Ballkanin Perëndimor nga SHBA, z.Escobar. Deklarata e ministres është qesharake dhe e pamatur në kontekst të gjendjes dhe të synimeve që i ka Republika e Kosovës. Kosova gjendet në Evropë. Ka bërë kërkesa dhe ka shprehur vullnet për t’u anëtarësuar në BE, në Këshillin e Evropës dhe në NATO”, shprehet ai.
Sipas profesorit, nënkuptohen disa gjëra për Kosovën që synon integrimin evropian dhe që jep deklarata të tilla.
“Shteti që synon këto integrime dhe deklaron se Evropa është e paaftë për rend dhe siguri, nënkupton disa anë: E para, qëllimin që Kosovës, me deklaratë të tillë t’i mbyllen shtigjet e inkuadrimit në mekanizmat e Evropës ose së dyti, është thënie e analfabetëve politikë, që për fat të keq, kjo qeveri është e mbushur ose së treti, është thënie e paramenduar dhe e lejuar edhe nga z.Kurti”, shton ai për Gazeta Blic.
Kelmendi vlerëson se ministrja duhet të japë dorëheqje, e nëse nuk e bën, kryeministri duhet ta largojë, por thotë se nuk ndodh as njëra e as tjetra.
“Qoftë njëra, qoftë e dyta a qoftë tjetra, kjo ministre kërkohet të japë dorëheqje nga posti që e ka. Në të kundërtën, kërkohet që vetë Kryeministri ta largojë nga posti. Largimi me dorëheqje në mentalitetin e z.Schwarz nuk ekziston. Ndërsa, largimi nga Kryeministri Kurti nuk bëhet, sepse bie qeveria aktuale dhe Kurti këtë nuk e do ose është deklarim i përbashkët”, potencon ai.
Por, profesori thotë se kjo deklaratë mbetet e dëmshme për raportet Kosovë-BE.
“Sidokudo, mbetet një deklaratë e papërgjegjshme dhe tejet e dëmshme për marrëdhëniet Kosovë me mekanizmat e BE-së. Ndërsa, nëse mendohet se kështu ofrohet Kosova me SHBA-të gabohet rëndë. Shtetet e BE-së kanë vend shumë më domethënës në raportet me SHBA-të. Midis SHBA-të dhe BE-së ka raporte të shkëlqyera. Ekziston pakti i NATO-s. Raportet e SHBA-ve me shtetet e kontinentit të vjetër janë të mira. Thënia vetëm dëme ka sjellë”, deklaron Muhamet Kelmendi./Gazeta Blic/