Site icon PrishtinaPress

Basha thotë se Kurti “luajti poteza të arsyeshme” në Bruksel, nuk paraqiti kushte por kërkoi garancë nga BE-ja

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka komentuar takimin e sotëm në Bruksel të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili refuzoi të ketë një takim bilateral me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, derisa ka thënë se kryeministri kosovar ka kërkuar garanci nga Bashkimi Evropian, shkruan Reporteri.net.

Basha në emisionin DPT te Fidani në ATV, tha se “BE-ja është garantuese, prandaj Kurti ia ka kërkuar garancën”, duke thënë se nuk ishin kushte.

“Ka shumë rëndësi që Vuçiqi nuk vë nënshkrim në marrëveshje. E dyta,  letra e Bërnabiqit, tregon që ata nuk po duan të respektojnë marrëveshjen që BE-ja po thotë ekziston. Pa e tërheq ata atë letër… se në udhë pa kry ka hy Serbia dhe është e vetmja që ka refuzuar të respektojë marrëveshjen, edhe ka shkelur disa pika, edhe ka çuar letër kinse ne nuk e njohim”, u shpreh Basha.

Basha tutje tha se “kryeministri Kurti luajti poteza të arsyeshme në Bruksel”.

Deputeti i VV-së, mes tjerash, ka thënë se BE-ja ka dështuar në shumë aspekte.

“Dështimi i diplomacisë vjen nga Lajçaku dhe Borrelli. Duhet me i ndërru njerëzit dhe çasjen. Nëse nuk kanë arritur me bind Serbinë me implementu një marrëveshje që Serbia e Kosova sot e kanë, atëherë dështimi është te BE-ja që s’po mbërrin me bind Serbinë e për më tepër po e ledhaton atë”, u shpreh Basha.

Shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, konfirmoi se sot në Bruksel nuk është mbajtur takim trepalësh, duke theksuar se Kosova nuk ishte e gatshme për një takim të tillë. Ai tha se gjatë takimeve dypalëshe Kurti paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.

“E para, formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët respektivë të shteteve. E dyta, tërheqja e letrës zyrtare e dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023. Dhe e treta, dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar terrorist tek autoritetet gjyqësore të Kosovës”, tha Borrell gjatë një konference për media.

Exit mobile version