Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha ka thënë se ky subjekt nuk pranon të bëhet pjesë e një debati ku bëhet pazar me postin e presidentit.
“Haradinaj thotë se posti i presidentit më takon vetëm mua dhe s’ka tjetër. Atë e merr si punë pazari që duhet t’ia kthejë më vonë votat. PDK-ja thotë se na takon neve dhe ketë punë e marrin si me tapi. LDK-ja pranon gjithkujt të ia jep këtë pozitë përfshirë edhe PDK-së vetëm që ta mbajnë qeverinë”, tha ai në “Debat Plus”, përcjell Telegrafi.
Basha thotë se LVV ka qëndrim të qartë se në fillim duhet të ketë zgjedhje e më pas të ulen partitë dhe të gjejnë një kandidatë konsensual.
“Vullneti i qytetarëve dëshmohet vetëm me zgjedhje të reja e pastaj ulemi e diskutojmë për një kandidatë që është jo partiak, konsensual dhe që e ruan frymën kushtetuese”.
Deputeti i Vetëvendosjes thotë se janë në kontakt edhe me Vjosa Osmanin për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë dhe sipas tij mocioni është i hapur për të gjithë deputetët.
“Është i çuditshëm pozicioni i PDK-së që deklarojnë se japin votën për rrëzimin e qeverisë e nuk po na japin nënshkrimin”, deklaroi Dimal Basha./Telegrafi/