Djelmoshat e Luis Enriques kanë lëshuar pikë në ndeshjen e tretë të La Ligas pasi kanë humbur 2-1 në shtëpi nga skuadra e inkuadruar në ligë Deportivo Alaves.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 39-të nga sulmuesi brazilian, Deyverson, i cili shënoi një gol nga afërsia pas asistimit të Kikos dhe me këtë rezultat edhe përfundoi pjesa e parë me epërsinë e mysafirëve.
Pjesa e dytë nisi më furishëm për katalunasit të cilët gjetën golin pas vetëm dy minutave lojë.
Ishte mbrojtësi francez, Jeremy Mathieu, i cili barazoi rezultat pasi shënoi me kokë pas harkimit të brazilianit Neymar.
Pas golit të barazimit, Barcelona futi në lojë të gjithë yjet e saj si Leo Messi, Luis Suarez e Andres Iniesta, por kjo ishte e kotë.
Kjo pasi, mysafirët e Alavesit arritën t’i zënë në befasi duke shënuar golin e epërsisë në minutën e 64-të.
Goli erdhi nga sulmuesi bask, Ibai Gomez, i cili shënoi një gol të bukur pas një topi të asistuar nga shënuesi i golit të parë, Deyverson.
Në minutat e mbetur, gjiganti katalunas u mundua që të gjej golin e barazimit deri në fund, por pa sukses, pasi ndeshja në fund përfundoi me fitoren shumë të vlefshme të Deportivo Alavesit me rezultat 2-1. /Telegrafi/