Barcelona po e kërkon me ngulm Robert Lewandowskin.
Sulmuesi polak ka vendosur të largohet përfundimisht nga Bayern Munichu dhe e ëndërron transferimin në “Camp Nou”.
Sipas mediave gjermane, gjiganti bavarez i kërkon 60 milionë euro për kartonin e veteranit të sulmit, përcjell “Gazeta Express”.
Ndërkohë, mediat spanjolle raportojnë se Barcelona është duke “i shtrënguar dhëmbët” për t’i bërë paratë e blerjes së ish-futbollistit të Borussia Dortmundit.
Ndërkohë, menaxheri i futbollistit, Pini Zahavi e ka kontaktuar personalisht presidentin “Blaugrana” Joan Laporta për t’ia kujtuar sakrificat që është duke i bërë në këto momente klienti i tij.
Sipas mediumit spanjoll “As”, trajneri Xavi Hernandez dëshiron ta ketë në dispozicion lojtarin para 11 korrikut, kur do të fillojë edhe faza përgatitore për sezonin e ri.
Lewandowski ka kontratë me Bayernin deri në vitin 2023, por është i vendosur për t’u larguar qysh tash.
Duket se edhe kampioni gjerman është dorëzuar dhe do ta shesë lojtarin, por vetëm për një çmim të arsyeshëm.