Një pjesë e banorëve që ndodhët në mes të lagjes ‘Kalabria’ kanë adresuar një kërkesë online nëpërmjet platformës digjitale në Komunën e Prishtinës që t’iu mundësohet kalimi në tunelin që lidhe ‘Kalabrinë’ me ‘Dardaninë’, i cili ndodhet në dalje të Stacionit të Autobusëve, shkruan lajmi.net.
Ai tunel aktualisht përdorët vetëm për hyrje dhe daljet e autobusëve të cilët hynë në stacion.
“Për ne banorët e Kalabrisë, aktualisht për të lëvizur me veturë deri në qytet janë disa opsione: 1) përmes rrethit të stacionit, deri tek rrethi afër Kosova Petrolit/Hotel Victroy; ose 2) përmes rrethit të stacionit deri te rrethit i ujësjellësit deri te rruga Tahir Zajmi (rruga e Fushe Kosovë – Prishtinë/Kompania Pastrimi); Secila nga këto opsione na detyron tl humbim të paktën 30 minuta për të arritur deri në Dardani për shkak se të gjitha rrethrrotullimet që duhet të kalojmë janë tejet të ngarkuara si në mëngjes, ashtu edhe pas orarit zyrtar të punës”, thuhet në kërkesën e tyre.
“Një gjë e tillë do të evitohej po qe se do të lejohej shfrytëzimi i nënkalimit nën urë afër stacionit të autobusëve që aktualisht përdoret vetëm nga autobusët dhe nga disa automjete të caktuara. A ka mundësi që të na lejohet të shfrytëzojmë nënkalimin/tunelin afër stacionit të autobusëve? Kjo do të mundësohej nëse rampa e stacionit do të lëvizej për disa metra brenda dhe ajo rrugë publike dhe tuneli të liheshin të lirë”, përfundon kërkesa e banorëve. /Lajmi.net/