1.7 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

Buy now

spot_img

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës pritet të stabilizohet brenda një periudhe dyvjeçare

Rritja për rajonin e Ballkanit Perëndimor vlerësohet të konsolidohet në 3.5 për qind për vitin 2018, sipas Raportit të Rregullt Ekonomik për Ballkanin Perëndimor, Rritje më e lartë por e brishtë, thuhet në komunikatën e Bankës Botërore.

Sipas vlerësimeve, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, IRJ e Maqedonisë, Mali i Zi dhe Serbia rriten me ritme mes 2.5 dhe 4 për qind.

Në Kosovë, rritja e fortë pritet të stabilizohet në 4.2 për qind në vitin 2018. Rritja parashikohet të arrijë në 4.5 për qind në periudhën 2019-2020, por perspektiva është e cenueshme nga rreziqe të jashtme dhe të brendshme. Deficiti fiskal parashikohet të rritet, brenda kufijve të rregullës fiskale, për shkak të investimeve më të larta publike, kryesisht në infrastrukturë dhe shpenzimeve të pashënjestruara për mbrojtje sociale.

“Ndërkohë që rritja po ruan një momentum pozitiv dhe politika fiskale mbetet në përputhje me rregullën fiskale, është thelbësore të përmirësohet alokimi i shpenzimeve për të investuar në kapitalin njerëzor dhe fizik, për një rritje më të shpejtë dhe të qëndrueshme”, tha Marco Mantovanelli, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën.

“Kosova po tregon një absorbim më të mirë të investimeve të financuara nga institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe performancë më të mirë të eksporteve, por perspektiva mund të cenohet nga paqëndrueshmëria politike, rritjet e mëtejshme të benefiteve të pashënjestruara dhe rënia globale e tregtisë dhe hyrjeve të kapitalit“, shtoi ai.

Ndërkohë që edhe punësimi është rritur në pesë nga gjashtë vendet në rajon, 91,400 vendet e reja të punës të krijuara mes korrikut 2017 dhe korrikut 2018 ishin dukshëm më pak se 214,000 vendet e punës të shtuara një vit më parë. Shumica e vendeve të reja të punës shfaqen në sektorët e industrisë dhe shërbimeve.

“Në mbarë rajonin po shohim rritje të mbështetur nga investimet dhe shpenzimet publike,” ka thënë Linda Van Gelder, Drejtoreshë Rajonale e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

“Vendet që kanë dëshmuar rritjen e investimeve të tyre private, kanë dëshmuar edhe një rritje më të shpejtë. Megjithëse shpenzimet e pashënjestruara sociale dhe pagat publike kanë ndikuar pozitivisht në rritjen afatshkurtër, ato zmadhojnë cenueshmëritë fiskale. Rritja e investimeve private dhe e eksporteve është mënyrë më e qëndrueshme e rritjes”.

Në shumicën e vendeve të Ballkanit Perëndimor, borxhi i lartë publik, cili vazhdon e rritet, shoqërohet me pabarazitë fiskale dhe të jashtme, duke e bërë perspektivën të cenueshme ndaj rritjes së kostove të financimit nëse do të shtrëngohen tregjet financiare. Mbështetja e rritjes afatgjatë kërkon reforma të brendshme që i gufojnë investimet private dhe eksportet, vijon komunikata e Bankës Botërore.

Raporti bën thirrje edhe për integrim më të madh ekonomik për të nxitur një rritje më të lartë dhe të qëndrueshme dhe për të stimuluar krijimin e vendeve të punës. Kërkohet rritje e integrimit mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u fokusuar në tregti, investime, lëvizshmëri dhe integrim digjital, për të përshpejtuar rritjen, për t’i kapërcyer tregjet kombëtare të vogla dhe të fragmentuara dhe për të siguruar stabilitet afatgjatë ekonomik.

 

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img