1.5 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Buy now

spot_img

Banka Botërore: Rritja ekonomike e Kosovës do të ngadalësohet në vitin 2022, çmimet supozohet se do të normalizohen gjatë gjysmës së dytë të vitit

Të gjashtë vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor po përballen me një gamë të re sfidash ekonomike, përkundër ringritjes më të mirë sesa pritej nga recesioni i shkaktuar nga pandemia COVID-19, thuhet në raportin e fundit i Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor.

Sipas këtij raporti, ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të plotë të mbështetur nga konsumi privat, rritja rekorde e eksporteve, rikthimi i jashtëzakonshëm i vizitave nga diaspora, rritja e fortë e kreditimit, si dhe stimujt e konsiderueshëm fiskalë.

Me rimëkëmbjen e ekonomisë thuhet se u përmirësua bilanci fiskal dhe u ngadalësua rritja e borxhit publik falë performancës së fortë të të hyrave publike.

Megjithatë, sipas raportit, rimëkëmbja u shoqërua edhe me presione jashtëzakonisht të larta të inflacionit, veçanërisht gjatë pjesës së dytë të vitit, të nxitura kryesisht nga rritja e çmimeve të importeve.

“Ndikimet e zgjatura të presioneve të jashtme të kohëve të fundit mund t’i përkeqësojnë më tej perspektivat ekonomike të Kosovës. Pengesat strukturore, siç janë kapacitetet e vjetruara të prodhimit të energjisë, e shtojnë më tej pasigurinë. Rritja në vitin 2022 pritet të ngadalësohet në nivelin mes 3 dhe 4 për qind, duke supozuar se çmimet do të normalizohen gjatë gjysmës së dytë të vitit. Investimet e vazhdueshme private dhe përshpejtimi i investimeve dhe konsumit publik pritet të jenë mbështetës të rritjes”, thuhet në njoftimin për media të Bankës Botërore.

“Ka nevojë urgjente për trajtimin e kufizimeve për rritjen me produktivitet më të lartë dhe për investime në kapitalin njerëzor më mënyrë që Kosova t’i shfrytëzojë avantazhet që sjell popullsia në moshë të re”, tha Massimiliano Paolucci, Menaxher i Bankës Botërore për Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut. “Nëse Kosova nuk e forcon kapitalin e vet njerëzor, do ta ketë më të vështirë të sigurojë rritje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse, nuk do të ketë fuqi punëtore të përgatitur për punët e së ardhmes, si dhe nuk do të jetë në gjendje të konkurrojë në ekonominë globale”.

Rrisqet e rënies për perspektivën ekonomike të rajonit sipas Bankës Botërore duken tepër brengosëse.

“Zgjerimi i konfliktit ose zgjatja e luftës në Ukrainë mund të shkaktojë trazime të mëtejshme të tregtisë globale dhe çmimeve të energjisë dhe ushqimeve. Rrisqet e rifinancimit mund të lindin nëse vazhdojnë të shtrëngohen kushtet e tregut të jashtëm financiar. Qëndrueshmëria e borxhit mund të kthehet në shqetësim nëse hapësira e kufizuar fiskale gërryhet nga përgjigjet e politikave ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, ndërkohë që rriten edhe kostot e rifinancimit”.

“Në një mjedis të tillë, politika e qeverisë duhet të fokusohet në ndërtimin e qëndrueshmërisë dhe në ndërmarrjen e reformave strukturore për të mbështetur rritjen dhe për të gjetur drejtimin përgjatë krizave”, tha Sanja Madzarevic-Sujster, ekonomiste e lartë e Bankës Botërore dhe një nga autoret kryesore të raportit.

“Duke pasur hapësirë të kufizuar fiskale, vendet do të duhet t’i peshojnë me kujdes kostot dhe përfitimet e zotimeve të reja për shpenzime në përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të energjisë dhe ushqimeve, duke u dhënë përparësi familjeve më të cenueshme”.

Në kontekstin e krizës energjetike në Evropë, raporti ofron gjithashtu një vlerësim të cenueshmërisë së vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj goditjeve prej çmimeve të energjisë, masave të marra nga qeveritë për të zbutur ndikimet, dhe si mund të ndikojë kriza në ecjen përpara me tranzicionin e energjisë së gjelbër.

“Për t’iu përgjigjur krizës aktuale energjetike dhe për të garantuar mbrojtjen e amvisërive dhe firmave më të cenueshme, vendet e Ballkanit Perëndimor nuk duhet t’i harrojnë synimet e tyre afatgjata për të arritur sigurinë energjetike dhe reziliencën si pjesë e agjendës së reformës së gjelbër”, shton Richard Record, krye-ekonomist i Bankës Botërore dhe një nga autorët kryesorë të raportit.

“Raporti argumenton se rritja e qëndrueshme nuk mund të ndodhë pa reforma strukturore që shtojnë produktivitetin, rrisin konkurrencën, investojnë në kapitalin njerëzor dhe forcojnë qeverisjen. Masat për uljen e kostove rregullatore të biznesit, për rritjen e konkurrencës në treg, për mbështetjen e pjesëmarrjes në tregun e punës dhe për forcimin e pavarësisë së institucioneve publike, do të ishin të gjitha mbështetëse për rritjen në një mjedis të pasigurt”, thuhet tutje në njoftimin për media.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img