Ballkani do ta nisë sonte rrugëtimin e tij të dytë në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës.
Kampioni kosovar e rishkroi historinë duke e përsëritur suksesin e vitit të kaluar për ta kapur fazën e grupeve.
E tash, ekipi Portokalli do të mundohet t’i vazhdojë paraqitjet pozitive dhe të suksesshme të bëra në fazën kualifikuese të kësaj gare.
Kontingjenti i skuadrës nga Suhareka ka mbërri dje në Republikën Çeke, aty ku do ta presë ekipi vendës, Viktoria Plzen.
Trupa e Ilir Dajës e ka zhvilluar mbrëmë një seancë të lehtë stërvitore në Plzen para ndeshjes së sontme.
Armend Thaqi me shokë synojnë të nxjerrin rezultat pozitiv ndaj gjigantit çek, ndonëse s’do të kenë punë aspak të lehtë.
Ndeshja mes Viktoria Plzen dhe Ballkanit, e vlefshme për xhiron e parë të Grupit C të Europa Conference League do të nisë në orën 21:00.
Përpos Viktorias, therandasit e kanë në grup edhe Dinamo Zagrebin dhe FC Astanan.
Ballkani e nisi eksperiencën evropiane këtë sezon në Ligën e Kampionëve, por u eliminua në rrethin e parë kualifikues nga Ludogoretsi.
Më pas, ekipi nga Suhareka kaloi në Ligën e Konferencës, ku në rrethin e dytë kualifikues e eliminoi ekipin Larne.
Më pas, në rrethin e tretë e eliminoi skuadrën Lincoln Red Imps, para se ta eliminonin edhe BATE Borisovin në “play-off”.
Kjo është hera e dytë që Ballkani shkon në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës. /Gazeta Express/