Kanë përfunduar edhe tri ndeshjet e fundit të javës së 26-të në Superligën e Kosovës në futboll.
Ballkani regjistroi ndeshjen e pestë radhazi në kampionat pa fitore, pasi sot luajti baras me Ferizajn. Ndeshja u mbyll pa gola.
Kampioni në fuqi mbetet i dyti në tabelë me 51 pikë, një më pak se skuadra lidere, Drita.
Derbi i kësaj jave mes Gjilanit dhe Llapit u mbyll gjithashtu me barazim, 2:2.
Albert Dabiqaj dhe Shend Kelmendi shënuan për gjilanasit, kurse Fernandinho dhe Francisco Rivera për llapjanët.
Gjilani tani ka 40 pikë dhe renditet i treti në tabelë, kurse Llapi është i pesti me 33 pikë.
Trepça ’89 u rikthye te fitorja këtë javë, pasi mposhti 2:1 Dukagjinin në Mitrovicë.
Abdullah Oyekanmi dhe Ardian Muja ishin autorët e golave të fitores për mitrovicasit.
Golin e vetëm klinasve ia dhuroi Ahmet Haliti, i cili shënoi autogol.
Trepça ’89 tani ka 29 pikë dhe pozicionohet në vendin e tetë në tabelë, kurse Dukagjini është i gjashti me 32 pikë.