Ballkani do ta kërkojë sonte kualifikimin tutje në Ligën e Kampionëve.
Kampioni kosovar e kishte mposhtur javën e kaluar gjigantin bullgar, Ludogorets me rezultat 2:0 në ndeshjen e parë të rrethit të parë kualifikues të kësaj gare.
E ekipi Portokalli udhëtoi dje i motivuar drejt Bullgarisë në tentim për ta ruajtur kapitalin e krijuar në lojën e parë të zhvilluar në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Trajneri Ilir Daja, në konferencën për shtyp të mbajtur dje theksoi se skuadra e tij nuk do të mbrohet sonte, pavarësisht rezultatit 2:0 nga ndeshja e parë.
“E kishim studiuar kundërshtarin duke e respektuar maksimalisht, pasi bëmë futboll goxha të mirë në gjitha aspektet. Bëmë lojën tonë që rezultoi me sukses. Ne nuk do të mbrohemi edhe pse kemi fituar 2:0. Do të punojmë edhe në fazën e mbrojtjes edhe sulmit, pasi mendojmë se Ludogoretsi nesër do ta filloj më furishëm takimin për shkak se është minus dy gola. Do ta bëjmë mbrojtjen, por ashtu siç e kemi bërë në Prishtinë”, është shprehur Daja.
Ndeshja mes Ludogoretsit dhe Ballkanit do të luhet sonte duke filluar nga ora 20:00.