Site icon PrishtinaPress

Ballkani dhe dialogu Kosovë-Serbi, si u zemërua Moska dhe si u aktivizua Perëndimi- Analizë në “Carnegie”

Anëtari i Institutit “Carengie”, Maxim Samorukov, ka publikuar një analizë të gjatë për influencën ruse në Ballkanin Perëndimor dhe për ndryshimet pas konfliktit në Ukrainë. Samorukov thotë se pa ndihmën e Serbisë dhe “Republika Srpskas” në Bosnje e Hercegovinë, ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor do të zhdukej gjatë natës.

Por thotë se ndikimi rus do të vazhdojë të mbetet pjesë e spikatur e peizazhit ballkanik përderisa ka ende politikanë që tentojnë të përfitojnë duke u fshehur nën hijen e Moskës.

Në këtë analizë Samorkuov thotë se pas luftës në Ukrainë, Evropa ka ndryshuar, kanë ndryshuar bazat e rendit politik dhe ekonomik dhe se po minohen edhe perspektivat e vogla për bashkëpunim në mes të Moskës dhe disa shteteve evropiane.

“Lidhjet tregtare me dekada janë shkëputur; korridoret e transportit janë ndryshuar; dhe kontaktet mes njerëzve janë bërë më të pakta se kurrë”, shkruan ai.

Sipas tij, tashme Evropa po e riformëson arkitekturën e saj të sigurisë rreth Rusisë si kërcënim kryesor, derisa Rusia e konsideron agresionin ndaj Ukrainës si një luftë ekzistenciale mbrojtëse me një Perëndim të duplifikuar.

Samorukov në analizën e tij thotë se në këtë proces të tjetërsimit është Ballkani Perëndimor. Ai shkruan se edhe kur kanë kaluar më shumë se një vit nga luta, raportet e Rusisë me disa shtete ballkanike duket se kanë pësuar pak ndryshime.

Ai përmend këtu vazhdimësinë e bashkëpunimit energjetik në mes të Serbisë me Gazpromin dhe Millorad Dodikun që vazhdon të realizojë vizita zyrtare në Moskë. Këtu ai përmend edhe disa parti malazeze me slogane pro-ruse.

Samorukov thotë se duket që Ballkani Perëndimor vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes për shkak të ankesave që mbizotërojnë zhvillimet kryesore globale.

Eksperti i Instituti “Carnegie” tutje shkruan se elitat politike të Ballkanit Perëndimor do të kane të vështirë që të mbajnë qëndrimin e tyre prej status-quo-je. Ai thotë se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës me pretekstin për të mbrojtur rajonet e Donbasit ka alarmuar Evropën nga frika se edhe një konflikt i ngrirë mund të dalë jashtë kontrollit nëse manipulohet nga një fuqi e jashtme armiqësore. Samorukov thotë se kjo i ka dhënë një shtysë të madhe vendosmërisë së Be-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjeve të gjata në Ballkan.

Në këtë analizë të tij, eksperti i Institutit “Carnegie” thotë se tashmë BE-ja ka vënë në përdorim edhe “shkopinj e karrota” të reja për të shtyrë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit.

Sipas Samorukov, BE-ja është është më e sigurt në këmbënguljen e saj se integrimi evropian është në shpërputhje me ruajtjen e lidhjeve të ngushta me Rusinë.

Siç shkruan tutje Samorukov, lufta që Rusia ka nisur në Ukrainë po pakëson përfitimet e shteteve të Ballkanit nga bashkëpunimi me Rusinë.

Ai thotë se Moska do të ketë shumë të vështirë të mbetet një partner tërheqës për shtetet e Ballkanit Perëndimor sa ishte para vitit 2022 për shkak të konsumimit të burimeve të saj dhe ndikimit si rezultat i agresionit në Ukrainë.

“Thellimi i përçarjes ekonomike të Rusisë me vendet e BE-së po e largon atë nga tregjet e Ballkanit. Edhe varësia tradicionale e rajonit nga hidrokarburet ruse është në hapat e fundit dhe hezitimi i disa shteteve ballkanike për t’iu bashkuar sanksioneve anti-ruse bën pak për ta ndryshuar këtë. Brutaliteti tronditës i Moskës në Ukrainë dhe mohimi flagrant i agresionit të saj i kanë dhënë fund rolit të saj si një ndërmjetësues në zgjidhjen e konflikteve ballkanike”, shkruan eksperti i “Carnegie”, transmeton Express.

Propaganda, potencon Samorukov, është sfera e vetme në të cilën bashkëpunimi Rusi-Ballkan është duke lulëzuar. Sipas ekspertit të Carnegie, Moska ka nevojë për aleatët në rajon që të pretendojë se izolimi i saj në Evropë nuk është i plotë dhe se ka ende vende ku mirëpritet si partner.

Ai thotë se bashkëpunimi në këtë aspekt është asimetrik, me Moskën që në njërën anë ka pak kontroll mbi partnerët e sak në Ballkan dhe në anën tjetër ata që shfrytëzojnë imazhin e Rusisë për të çuar përpara agjendat e tyre. Por thotë se Moska duket që nuk e ka problem një gjë të tillë, duke i menduar opsionet e tjera që mund të ishin më të rrezikshme.

Maxim Samorukov tutje në analizën e tij ka trajtuar edhe aspektin e ndikimit të agresionit rus në Ukrainë në procesin e dialogut për paqe në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe për qëndrimin dhe qasjen që BE-ja ka marrë pas disa zhvillimeve në rajon pas luftës së nisur në Ukrainë.

Samorukov thotë se Moska si një faktor desbazilizimi është gati që të përdor taktikat destabilizuese për të mbajtur të pazgjidhura mosmarrëveshjet në Ballkan Perëndimor për aq kohë sa është e mundur dhe për ta mbajtur Perëndimin të konsumuar nga problemet e Ballkanit.

Ai tutje shkruan edhe për një fakt alarmues ku disa shtete ballkanike nuk e shohin agresionin rus si një arse për të kapërcyer grindjet dhe për t’u bashkuar përballë krizës.

Samorukov thotë se sondazhet e opinionit në Serbi tregojnë se 70 % e qytetarëve fajësojnë Perëndimin dhe Ukrainën për shpërthimin e luftës, derisa në “Republika Srpska”, mbi 50 % deklarojnë se e mbështesin pushtimin e Rusisë.

Si rezultat i kësaj, Samorukov thotë se Perëndimi çuditërisht ka dyfishuar përpjekjet ndërmjetësuese në rajon dhe se tashmë ka arritur një përparim të prekshëm. Ai thotë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord për të zbatuar planin e BE-së për normalizim të raporteve dhe se Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi po dalin gradualisht nga ngërçi politik shumëmujor.

Sipas tij, Moska është jashtëzakonisht e shqetësuar me këto zhvillime dhe se tashmë ka ashpërsuar gjuhën ndaj përpjekjeve ndërmjetësuese perëndimor. Këtu Samorukov citon ambasadorin rus në Bosnje e Hercegovinë që ka kërcënuar Bosnjën se mund ta ketë fatin e Ukrainës nëse vendos të anëtar3ësohet në NATO, derisa ambasador rus në Serbi ka deklaruar se Moska është e gatshme t’i ofrojë Serbisë ndihmë ushtarake në mosmarrëveshjen me Kosovën, nëse serbët e kërkojnë një gjë të tillë.

Por thotë se kjo retorikë e Rusisë vështirë se mund ta fsheh zymtësinë e performancë së ushtrisë së tyre në Ukrainë e cila po ashtu ka ekspozuar edhe zbrazëtinë e plotë të kërcënimeve të tilla. Samorukov thotë se diplomatët rus mund të flasin për investime ushtarake në Serbi po thotë se është e qartë që tashmë Moska ka shumë mungesë të burimeve për të qenë në gjendje të projektojë një forcë efektivë ushtarake në Ballkanin Perëndimor.

“Në një kohë kur Rusia po përpiqet të përmbushë angazhimet e saj ekzistuese të sigurisë në Transnistria , Siri , Kaukazin e Jugut dhe Azinë Qendrore ., është e pamundur të trajtohen seriozisht kërcënimet e Moskës për të ndërhyrë ushtarakisht në Ballkanin Perëndimor, i cili është larg kufijve të tij dhe i rrethuar nga shtetet e NATO-s”, potencon Samorukov, shkruan Gazeta Express.

Eksperti i Institutit “Carnegie” thotë se tashmë realitetin e dobësisë së Moskës e kanë kuptuar edhe ata liderë ballkanikë që duan të rrisin popullaritetin e tyre duke u shitur si aleatë rus. Samorukov thotë se pavarësisht deklarimeve nga Moska, drejtuesit e Serbisë s’kanë treguar asnjë qëllim për të ftuar Rusinë si ndërmjetësues për dialogun me Kosovën e lërë më që t’i kërkojnë ndihmë ushtarake.

Përveç kësaj, Samorukov thotë se edhe përpjekja e Dodikut për të shkëputur “Republika Srpskan” nga Bosnja e Hercegovina ka rënë dukshëm krahasuar me vitin 2021.

“Partitë pro-ruse në Mal të Zi gjithashtu e kanë zhvendosur theksin e tyre nga sloganet anti-NATO dhe pro-Kremlinit në çështjet e identitetit dhe korrupsionit”, thekson tutje analiza.

Në këtë analizë të tij Samorukov thotë se ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë ka zbuluar se Putin është i prirur për gjykim të dobët dhe se mund të hidhet në një aksion të pamatur, edhe në kërkesa vendore për të ndërhyrjen është e dobët.

Megjithatë, Samorukov thotë se s’ka zbuluar ndonjëherë ndonjë lidhje të veçantë emocionale me problemet e Ballkanit. Analisti i “Carnegie” thotë se është e vërtetë që Putin e përmend rregullisht “precedentin e Kosovës” në deklarime publike kur justifikon pushtimin rus të Ukrainës. Por thotë se Putin e bën këtë kur flet vetëm për çështje post-sovjetike dhe se e vë theksin tek fjala “precedent” e jo tek Kosova, duke zbuluar se prioritetet tij qëndrojnë më afër kufijve të Rusisë sesa në Ballkanin Perëndimor.

Tutje në analizën e tij, Samorukov thotë se në të kaluarën ka pasur disa anëtarë me ndikim të elitës qeverisëse ruse për të cilët Ballkani ishte një subjekt për zemër. Këtu përmend bashkëpunëtorin e Putinit, Vladimir Yakunin, që thotë se e kishte marrë seriozisht retorikën për vëllazërinë ortodokse të Rusisë me vendet e Ballkanit dhe se ishte përpjekur të zgjeronte ndikimin rus në rajon përmes investimeve infrastrukturore. Ai thotë se gjatë mandatit të Vladimir Yakunin ishte bërë lëshimi i një kredie prej 800 milionë dollarësh për Serbinë për modernizimin e hekurudhave.

Në përpjekjen e Moskës për të forcuar lidhjet në Ballkanin Perëndimor, Samorukov përmend edhe gjeneralin Leonid Reshetinkov dhe oligarkun Konstantin Malofev që thotë se ishin të prirur në çështjet e unitetit ortodoks dhe sllav. Ai thotë se këta të dy, të frymëzuar nga suksesi i Moskës për nxitjen e rebelimit separatist pro-rus n Donbas të Ukrainës më 2014, kishin kryesuar aktivitetet e Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Ai thotë se përgjatë viteve 2015 dhe 2016 të dy kishin kultivuar lidhjet me Dodik dhe grupet serbe ultra-djathtiste dhe janë akuzuar edhe për organizimin e një grusht-shteti të dështuar në Mal të Zi më 2016.

Por thotë se tashmë të dy e kanë humbur ndikimin e tyre të dikurshëm.

“Por Yakunin dhe Reshetnikov tani janë në pension prej kohësh, ndërsa Malofeev ka humbur shumë ndikimi i tij i dikurshëm dhe është i preokupuar me Ukrainën dhe politikën e brendshme ruse”, shton Samorukov.

Tashmë, Samorukov thotë se problematikat e Ballkanit trajtohet nga Alexander Babakov që është nënkryetar i Dumës së Shtetit dhe Alexander Botsan-Kharchenko që ambasador në Beograd. Samorukov thotë se të dy kanë njohuri të thella po u mungon fuqia në Moskë për t’i sjellë në vëmendjen e Putinit problemet e Ballkanit Perëndimor.

“Të dy kanë njohuri të thella dhe lidhje të gjera në Ballkanin Perëndimor, por atyre u mungon fuqia në Moskë për të lobuar politika të caktuara ndaj rajonit ose për të sjellë çështjet e Ballkanit në vëmendjen e Putinit”, thekson analiza e botuar në “Carnegie”.

Samorukov thotë se kjo situatë e ka çuar në një lloj ngërçi ku personalitetet me ndikim rusë i konsiderojnë problemet ballkanike shumë të parëndësishme për t’u interesuar, derisa ata që janë përgjegjës për rajonin s’kanë kompetenca për të nxitur vendime apo edhe për të konsultuar lidershipin rus për ndonjë strategji të preferuar.

Samorukov ngërçin e politikës ruse e ilustron edhe me deklarimet e Moskës për momentumin e ri në bisedime Kosovë-Serbi. Ai thotë se Moska në njërën anë ka thënë se pranon çdo rezolutë të pranuar nga Beogradi dhe nga ana tjetër deklaron se çdo zgjidhje me Kosovën duhet të përfshijë Rusinë si ndërmjetës. Megjithatë thotë se asnjëherë s’kanë specifikuar se çfarë ndodh nëse Serbia bie dakord për gjetjen e një zgjidhje që nuk përfshinë Rusinë si ndërmjetës.

Arsyeja për këtë thotë se është shumë e thjeshtë. Sipas Samorukov diplomatët rus që merren me Ballkanin duan të mbrojnë bastet  tyre dhe të formulojnë qëndrimin e Rusisë në një mënyrë që s’i vën në kundërshtim me Kremlinin, pavarësisht çfarë linje zgjedh Kremlini për të ndjekur përfundimisht.

Me pushtimin e Ukrainës, Samorukov thotë se Rusia jo vetëm që ka tejkaluar burimet e saj të kufizuara dhe ka degraduar procesin e vendimmarrjes në politikë të jashtme, por i ka dhënë edhe një goditje të fortë pikës kryesore që kishte në zgjidhjen e konflikteve ballkanike.

Këtu Samorukov kujton fuqinë e Rusisë për përfshirjen në ndërmjetësim të marrëveshjeve post-jugosllave përmes rezolutave të OKB-së.

“ Të gjithë aktorët ballkanikë duhej të shikonin nga Moska, duke kuptuar se asnjë zgjidhje përfundimtare nuk ishte e mundur pa gatishmërinë e Rusisë që të paktën ta toleronte atë”, thekson analiza e tij.

Ai thotë se formalisht s’ka ndryshuar asgjë dhe se Moska vazhdon ta ketë të drejtën e vetos në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, por shton se vlera e asaj vetoje ka rënë.

“Pak do ta trajtonin seriozisht veton e një vendi që po kryen krime lufte, duke synuar infrastrukturën civile në sulmet e bombardimeve dhe duke mohuar haptazi sulmin ndaj Ukrainës në një manifestim të shpërfilljes totale të realitetit”, shkruan Samorukov.

Humbja e fuqisë së Rusisë brenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Samorikov thotë se ka filluar të ndjehet në Ballkanin Perëndimor. Ai thotë se edhe aktorët pro-rusë të cilët ende preferojnë miqësinë me Moskën, janë dorëzuar realitetit se zgjidhja e konflikteve ballkanike nuk drejtohet nga OKB-ja por na struktura euro-atlantike.

Përkthyer dhe përshtatur: Gazeta Express, Besnik Velija

 

Exit mobile version