Site icon PrishtinaPress

Ballkani armatos sauditët. Edhe Shqipëria shiti, por rekordin e mban Serbia

Arabia Saudite mbetet një nga blerëset më të mëdha të armëve në Ballkan.
Raporti i fundit i organizatës “SEESAC” mbi eksportet e armëve në vitin 2016, për Serbinë, Malin e Zi, Bosnjen, Shqipërinë dhe Maqedoninë, i cituar nga BIRN, tregon se këto vende u kanë shitur sauditëve gjatë atij viti armë dhe municione, që në total mbërrijnë vlerën 514.6 milionë euro.

Dokumenti tregon se Shqipëria shiti armë që shkonin në 1.28 milion euro, e po kaq edhe Mali i Zi, ndërsa rekordin e mban Serbia, me shitje në nivelin 406.6 milionë euro.

Nga përllogaritjet e “SEESAC” rezulton se, vendet e Ballkanit fituan më shumë parà “cash” nga shitja e armëve në Lindjen e Mesme, – 187.6 milionë euro në total, – sesa BE-ja me 54.6 milionë dhe Amerika e Veriut me 72 milionë.

Ashtu siç rezulton edhe në dy vitet e mëparshme, interes të madh për armët e rajonit ka shfaqur Arabia Saudite, blerësja kryesore e armëve që nuk përdoren dhe e municioneve.

Armë dhe pajisje ushtarake u janë shitur ndërkohë edhe vendeve të tjera si Afganistani, Iraku, Algjeria e Turqia. Raporti i “SEESAC” evidenton se Turqia, në mënyrë të veçantë, po shfaq interes gjithmonë e më të madh për armët nga Ballkani.

Bosnja përfitoi në vitin 2016 gati 7 milionë euro nga eksportet e municioneve në këtë vend.

Exit mobile version