Site icon PrishtinaPress

Ballafaqimi Kurti – Vuçiq nis në darkë, këto janë detajet nga Brukseli

Takimi i sotëm mes Kryeministrit Kurti dhe Vuçiqit, i pari pas Marrëveshjes së Ohrit, pritet të nisë në orën 18:00. Kryeministri i Kosovës ka arritur një ditë më herët në Bruksel, për të nisur përgatitjet me ekip, para takimit.

Kryeministri Albin Kurti dhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq takohen sot në mbrëmje në Bruksel. Si zakonisht takimi ndwrmjetwsohet nga zyrtarw tw Bashkimit Evropian.

Kurti ka mbërritur dje gjatë ditës në Bruksel, ndërsa në mbrëmje ka publikuar një fotografi me ekipin e tij, duke njoftuar se po përgatitej për takimin e sotëm me Vuçiqin.

“Kam arritur në Bruksel dhe kam kaluar ditën duke u përgatitur për takimin e nesërm. Përgatitja për negociata është si komplekse ashtu edhe e thjeshtë: komplekse sepse ka bollëk informatash dhe detaje të përfshira, në mes tjerash, por e thjeshtë sepse dëshirat e Kosovës janë të qarta, të sinqerta dhe fisnike”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Albin Kurti/Twitter

Agjenda e takimit të sotëm është zbuluar prej ditësh. Dy pikat kryesore janë miratimi i Deklaratës për Personat e Pagjetur dhe prezantimi i draft-Statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin është angazhuar ta shkruajë një i ashtuquajtur Ekip Menaxhues, që përbëhet nga katër serbë, duke përfshirë edhe një deputete të Kuvendit të Serbisë, Danijela Vujiçiq, që vjen nga radhët e partisë së Vuçiqit, SNS-së.

Kryeministri Kurti ka thënë se do të jetë i lumtur të shohë se çfarë është hartuar, ndonëse ka theksuar se më mirë do të ishte sikur drafti të shpalosej fillimisht në Prishtinë.

Ekipi Menaxhues zyrtarërisht është emëruar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, që pas nënshkrimit të Marrëveshjes për Asociacionin, në vitin 2015. Emërimet e fundit i ka bërë kreu i Listës Serbe, Goran Rakiq, sa ishte ministër, në vitin 2020. Por, ky Ekip ka qëndruar i mbyllur ndaj Qeverisë së Kosovës, duke mos pranuar as takime me të Qeverisë Kurti.

Kurti megjithatë para nisjes në Bruksel ka thënë se është i interesuar ta zbatojë marrëveshjen për normalizimin e raporteve me Serbinë, që u arrit më 27 shkurt, duke ofruar një lloj vetëqeverisje të komunitetit serb në Kosovë, por jo të formojë një model si të Republikës Srpska në Bosnjë dhe Hercegovinë.

“Duke marrë parasysh insistimin e Brukselit, do të jem i lumtur të shoh se çfarë drafti kanë përgatitur, edhe pse mendoj se do të ishte më mirë që më parë të ma paraqitnin në Prishtinë. Megjithatë, do të siguroj që të përmbushet ajo që është rënë dakord më 27 shkurt në Bruksel, ekzistenca e një niveli të duhur të vetëqeverisjes së komunitetit serb sipas standardeve më të larta ndërkombëtare evropiane për mbrojtjen e pakicave. Por ajo që ne nuk do të lejojmë është e drejta e territorializimit dhe krijimit të çdo gjëje që do të dukej si Republika Srpska në Bosnje dhe Hercegovinë. Nuk do të lejojmë një parashtet satelitor me esencë shkatërruese që do të minonte shtetësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti.

Diplomatët evropianë dhe amerikanë, si Lajcak, apo ambasadori Christopher Hill, kanë thënë se Asociacioni do të formohet menjëherë dhe është çështja e parë që do të diskutohet, pas marrëveshjeve në Bruksel dhe në Ohër gjatë shkurtit dhe marsit.

Lajcak ka thënë se Asociacioni do të jetë sipas modeleve evropiane.

Deklaratat e Kurtit, i cili, siç është deklaruar, nuk e ka parë draftin e hartuar, nga Serbia janë parë si shenja që nuk do të pranohet Asociacioni, të cilin është caktuar ta draftojë ekipi serb nga Kosovë, i afërt me Vuçiqin.

Nga Brukseli, Kurti ka folur në telefon me Derek Chollet, këshilltar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit.

“Kam pasur një bisedë të mirë telefonike me këshilltarin e Departamentit të Shtetit, Derek Chollet, ku keni diskutuar për agjendën e takimit të nesërm. I kam cekur rëndësinë që Marrëveshja bazë dhe Aneksi duhet të zbatohen plotësisht dhe në mirëbesim. Po ashtu e kam falënderuar për përkrahjen e SHBA-së”, ka shkruar Kurti në Twitter.

Chollet ndërkaq ka theksuar nga telefonata me Kurtin bisedën për zbatimin e menjëhershëm të marrëveshjes për formimin e Asociacionit.

“Bisedë shumë e mirë me kryeministrin Albin Kurti për takimin e liderëve më 2 maj për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga BE-ja, për rëndësinë e implementimit të menjëhershëm të Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe për partneritetin e fuqishëm SHBA-Kosovë”, ka shkruar Chollet në Twitter.

Kosova dhe Serbia janë pajtuar për një marrëveshje bazë për normalizimin e raporteve më 27 shkurt të këtij viti. Ndërkaq, është pranuar edhe Plani i Zbatimit të asaj marrëveshjeje më 18 mars, në Ohër./PrishtinaPress/

Exit mobile version