Site icon PrishtinaPress

Bajrami: Urgjentisht, Qeveria duhet të ndajë mjete për shtesën e rrezikshmërisë në punë për gjithë policët

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur lajm të mirë ndarjen e 50 mijë eurove për familjen e heroit Afrim Bunjaku, por ka thënë se kjo nuk është e mjaftueshme.

Bajrami ka thënë se Qeveria urgjentisht duhet të ndajë mjete për shtesën e rrezikshmërisë në punë për gjithë policët. Madje, ka thënë se këtë çështje duhej ta çonte përpara sot.

“Lajm i mirë ndarja e 50 mijë eurove për familjen e Heroit Afrim Bunjakut. Por, kjo nuk është e mjaftueshme. Urgjentisht, Qeveria duhet të ndajë mjete për shtesën e rrezikshmërisë në punë për gjithë policët. Sot, Qeveria do të duhej të çonte përpara sigurimet jetësore e shëndetësore për gjithë ruajtësit e rendit në Republikë.

Pa asnjë dyshim, Policia është storie suksesi për Republikën e Kosovës për gjithë këto vite prandaj Qeveria duhet të avancojë me plotësimin e kushteve të punës për secilin polic, ushtar dhe për kategoritë tjera”, ka shkruar Bajrami.

Ndryshe, Policia e Kosovës u sulmua nga një grup terrorist në orët e para të mëngjesit të së dielës në fshatin Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku.

Në mbledhjen e sotme, Qeveria ka ndarë 50 mijë euro për familjen Bunjaku.

Exit mobile version