Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se nuk mund të arsyetohet rasti Klan Kosovës duke mbyllë biznese të tjera.
Ajo ka adresuar disa kritika ndaj Lëvizjes Vetëvendosje e cila sipas saj, duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatueshmëri të kushtetueses.
“Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës edhe në rastin e Martin Berishajt dhe përfshirjen e tij në transaksione financiare energjetike me kompani nga Serbia”, shkroi ajo në Facebook.
Sipas Bajramit, Lëvizja Vetëvendosje duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës në rastin e Nagip Krasniqit që është në paraburgim për korrupsion në KEK.
“Duhet të kërkojë ligjshmëri dhe zbatim të Kushtetutës kur Mimoza Kusari me izën e Albin Kurtit flet për Simiçin e në interfon edhe me Radojçiqin, duhet të kërkojë zbatim të ligjshmërisë dhe zbatim të Kushtetutës në rastin e Faruk Mujkës i arrestuar për korrupsion”.
Bajrami ka shtuar se LVV-ja duhet të kërkojë zbatim të ligjit dhe Kushtetutës edhe në rastin e MINT për keqpërdorimet e rezervave shtetërore dhe mosardhjen e vajit nga Polonia.
“Padrejtësia me e madhe është drejtësia selektive, e këtë ky pushtet po e kërkon këtë nga dita e parë”, shtoi ajo.
“Edhe te bizneset me dokumente antikushtetuese, fajet janë edhe te MINT/MTI, në të gjitha periudhat kohore që ka pranuar dokumente jo kushtetuese andaj lëreni bizneset t’i bëjnë korrigjimet e nevojshme sipas ligjit”.
Deputetja e LDK-së ka kërkuar që të aktivizohet ATK-ja të parë nëse dikush këto i ka bërë për evazion fiskal dhe organet tjera të hetuesisë e drejtësisë le t’i bëjnë të gjitha hetimet,
“Por, një gjë ta keni të qartë nuk e kemi luksin me mbyllë biznese, për me tepër MINT nuk ka as bazë ligjore për ta bërë një të tillë. Lëreni drejtësinë ta bëjë drejtësinë për secilin rast pa ndërhyrje”.