Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër Qeverinë Kurti në 3-vjetorin e marrjes së pushtetit.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë se falë politikave të kryeministrit, Albin Kurti, për herë të parë po vihet në pikëpyetje partneriteti i Kosovës më Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
“Sot, në tre vjetorin e qeverisjes së Kurtit dhe LVV realiteti është ky: Falë politikave të Kurtit, Amerika për herë të parë në histori po vë në pikëpyetje partneritetin me Kosovën. Ka 231 ditë që Kosova është nën sanksione nga BE-ja, Albini e ka pranuar Zajednicën”, shkroi ajo.
Sipas saj, për këtë periudhë Qeveria e ka shkelur 7 herë Kushtetutën. Ajo gjithashtu ka thënë se vendi është pa Kryeprokuror të Shtetit qe 663 ditë.
“Pas tri viteve të Qeverisë së LVV nuk janë ndërtuar 160 çerdhe. Nuk janë ndërtuar as 5 shtëpi për të moshuarit. Nuk janë ndërtuar as nuk kanë filluar 4000 banesa për çiftet e reja.Pas tri viteve nuk ka projekte infrastrukturore. Asnjë nga rrugët magjistrale nuk ka përfunduar, projekte këto që kanë qenë në gjysmë. Shihni rrugën për Podujevë, rrugën për Pejë, atë për Gjilan – janë po aty ku ishin para tri viteve”, u shpreh Bajrami.
Ajo ka akuzuar Qeverinë për korrupsion e pengim të drejtësisë.
“Ka korrupsion, si rasti i Martin Berishajt, rasti i Nagip Krasniqit dhe një sërë rastesh të tjera ku krejt Qeveria ju del në mbrojtje duke e penguar drejtësinë ta kryej punën e vet flet për korrupsion. Për më tepër e thotë Raporti i fundit për vendin i Komisionit Evropian se vetëm vitin e kaluar janë nënshkruar 2140 kontrata me negocim të drejtpërdrejtë, në vlerë mbi 78 milionë euro”, ka shkruar Bajrami.
Sipas saj, në Qeverinë Kurti ka edhe nepotizëm.
“Ka nepotizëm, s’ka mbetur institucion pa u kapë nga militantët partiakë e familjarë. Një numër i madh i institucioneve janë vakante, ose punojnë me ushtrues detyre”, ka shkruar Bajrami.
Ndryshe, në një intervistë për Zërin e Amerikës, O’Brien ka thënë se me qëndrimin për çështjen e dinarit, Qeveria e Kosovës ka vënë në pikëpyetje partneritetin me Shtetet e Bashkuara.
“Unë nuk bëj kërcënime të vagëta në publik. Unë do të thosha, që nëse ne nuk trajtohemi si partner, edhe ne nuk do ta trajtojmë qeverinë e Kosovës si partnere”, ka thënë ai.