Ish kryeministri i Kosovës Bajram Rexhepi pas sulmit në tru që pësoi të hënën mbrëma, në këto momente gjendet në operim.
Kështu ka thënë për Express, zëdhënësi i QKUK’së Shpend Fazliu. Ai tha se ish kryeministri Bajram Rexhepi ende po vazhdon të jetë në operacion që nga ora 14:00.
“Konsiliumi në përbërje të anesteziologut, neurologut, neurokirurgut, radiologut, kardiologut, kirurgut vaskular, pulmulogut, sot ka mbajtur takimin ku është analizuar gjendja shëndetësore e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi”, tha Fazliu.
Sipas tij, pas analizës së detajuar dhe përcjelljes së gjendjes klinike, konsiliumi ka konstatuar se gjendja e tanishme imponon nevojën e ndërhyrjes operative kirurgjike në Klinikën e Neurokirurgjisë e cila pritet të kryhet, në mënyrë që të evitohen përparime e mëtejme të dëmtimeve të trurit.
Bajram Rexhepi ishte dërguar në QKUK rreth orës 20:00 të së hënës pasi pësoi sulm në tru. Ai vazhdimisht ka qenë nën kujdesin Intensiv.