Avokati Ardian Bajraktari, ka thënë se nëse vërtetohet skenari i planifikimit të vrasjes së Liridona Ademjat nga burri i saj, ai së paku meriton dënim të përjetshëm.
Bajraktari këto komente i bëri në studion e emisionit “Ditari” në Tëvë1, ku tha se në shqiptimin e dënimit duhet të merren parasysh të gjitha rrethanat, përfshirë praninë e fëmijëve gjatë aktit kriminal.
“Është njëri prej krimeve më të llahtarshme për këtë periudhë kohore me vet faktin që vet përgatitja paraprake, përfshirja e bashkëshortit, me aq gjakftohtësi si para por edhe pas ndodhjes së krimit, shto faktin që ishin prezent edhe fëmijët, e bënë njërin prej krimeve më të tmerrshme, më të llahtarshme në këto vitet e fundit. Është e gjykatës të vërtetojë mbi bazën e asaj çka i ofron prokuroria, por mbi bazën e asaj çka kemi parë e unë e kam përshtypjen që një person që sillet me aq gjakftohtësi u tha që kanë qenë një darkë, ta sheh në sy një person që pas pak minutash ka përgatitur skenarin që nuk do të jetë më në këtë jetë, pastaj të jetë në ceremoninë e varrimit, ai së paku meriton dënimin e përjetshëm”, tha Bajraktari.
Bajraktari tha se në 13 vitet e fundit kanë ndodhur 55 humbje jetëve të grave, derisa shtoi se ky është më i tmerrshmi, duke e pas parasysh gjakftohtësinë me të cilën është përgatitur vrasja si dhe praninë e fëmijëve në këtë akt.