Site icon PrishtinaPress

Bahtiri i kundërpërgjigjet Rakiqit: Ura e Ibrit hapet së shpejti

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i është kundërpërgjigjur deklaratave të të parit të Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, se ura mbi lumin Ibër nuk do të hapet për shkak se sipas tij ende nuk janë plotësuar kriteret e sigurisë.
Bahtiri për lajmi.net ka thënë se edhe pse nuk e di datën se kur do të funksionalizohet kjo urë, hapja e saj do të bëhet shumë shpejt dhe nuk ka asnjë problem në këtë drejtim.

“Nuk mund të them datën se kur do të hapet për arsye se e di që shumë afër është dita kur do të hapet, mirëpo data ende nuk dihet, e di që BE-ja duhet me qenë ajo që i cakton”, u shpreh Bahtiri.

Duke i komentuar deklaratat e Rakiqit, ai tha se kjo nuk është aspak një arsye, sepse niveli i sigurisë në Mitrovicë është i lartë dhe madje sipas tij kjo komunë është ndër më të sigurtat në Kosovë.

“Sa për siguri që e ka përmend Goran Rakiq, siguria është e plotë, madje siguria nuk ka qenë asnjëherë më e mirë, siguria është një ndër më të mirat në krejt komunat e Kosovës dhe për ta ai nuk ka asnjë argument se kinse nuk ka siguri për me e hap urën. Përkundrazi, bëhet një siguri e plotë, bashkim i plotë i qytetarëve, komunikim i plotë  i qytetarëve si dhe qarkullim i lirë i automjeteve. Urat janë për të bashkuar njerëz dhe jo për të ndarë, sa herë ka ndarje, ka gjëra të këqija, kurse e mira është se do të lëvizin qytetarët të lirë pavarësisht të cilit nacionalitet”, u kundërpërgjigj Bahtiri për lajmi.net.

Bahtiri shtoi se Goran Rakiq nuk po tregohet i arsyeshëm me argumentet e tij për mos hapjen e Urës së Ibrit, për shkak se siç thotë ai ekzistojnë mekanizmat e sigurisë të cilet janë gjithmonë në gatishmëri për një ambient të sigurtë.

“Ai nuk mund të kapet në atë drejtim sepse për siguri e kemi Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe KFOR-in, dhe në gatishmëri të gjithë mekanizmin për të garantuar siguri për të gjithë qytetarët e Kosovës”, deklaroi Bahtiri.

Bahtiri ripërsëriti edhe njëherë se komuna që ai udhëheq ka pasur ulje të dukshme të numrit të incidenteve dhe kjo më nuk është një dukuri shqetësuese.

Ndryshe, ura mbi lumin Ibër, pritet të hapet gjatë muajit qershor.

Exit mobile version