Site icon PrishtinaPress

Baballarët nuk lejohen të marrin pjesë gjatë lindjes së foshnjave në QKUK

Prej vitit 1938 kur llogaritet të ketë filluar lindja në spitale, vazhdimisht është kërkuar që të rritet kujdesi ndaj nënës dhe fëmijës, por me kalimin e viteve ekspertët e fushës së mjekësisë thonë se prezenca e babait/partnerit në lindje ka efekte pozitive në gjithë procesin.

Por në Kosovë, shërbimi publik shëndetësor nuk ua mundëson baballarëve pjesëmarrjen në procesin e lindjes.

Drejtoresha e Klinikës Gjinekologjike Obstetrike, Myrvete Paqarada, tregon për KALLXO.com arsyet se përse një baba kosovar nuk mund të jetë pjesë e procesit të lindjes.

“Për me fillu ajo procedurë në Klinikë ne duhet të bëjmë një trajnim me nana që po e bëjmë. Ato përgatiten për lindjen, e njëjta gjë duhet të fillojë edhe me burrin edhe ai duhet të jetë i njoftuar për procesin e lindjes. Shumë herë kur u themi burrave që të shohin gruan e jo të marrin pjesë në lindje, ata refuzojnë me idenë se kanë frikë do të thotë edhe burrat tonë nuk janë të përgatitur paraprakisht për lindjen e gruas. Pastaj janë botëkuptimet se a duhet të marrin pjesë ne kemi pasur raste që kanë kërkuar të marrin pjesë”, tha Paqarada.

Ajo shton se ka shumë prindër që insistojnë të jenë pjesë e procesit të lindjes por kjo është dëshirë që nuk mund t’u plotësohet nga stafi i Klinikës.

“Klinika është ndërtuar shumë vjet përpara që për atë kohë ka pasur standarde ideale por nuk ka qenë e paraparë që burri apo familjarët të marrin pjesë në lindje dhe do ta shihni në sallë të lindjes do e shihini se kaloni në korridor dhe ai që kalon aty do i sheh edhe gratë tjera. Një prej kushteve është që ndërtimi i sallave të lindjes, sikur çdo boks, do të kishte toaletin e vet, vendin ku mundet me qëndru baba ku mundet me përgatit një kafe apo çaj apo të ulet të lexojë. Fatkeqësisht nuk i kemi ato kushte. Sikur t’i kishim ato kushte ne e kemi stafin e trajnuar dhe jemi përkrahës të mocionit që mundet burri apo ndonjë anëtar i familjes të jetë aty, por nuk ka kushte në klinikë për pjesëmarrjen e bashkëshortit në lindje”, thotë ajo.

Paqarada thotë se mundësia e pjesëmarrjes së prindit në lindje mund të ekzistojë kur të krijohen kushtet por fillimisht sipas saj duhet të bëhet ndërtimi i një materniteti në Prishtinë ku lindjet do të bëheshin atje, ndërsa vetëm rastet e komplikuara do të drejtoheshin për në QKUK.

 

Exit mobile version