Bedri Babaj ka dhënë një intervistë në Info Magazine të Klan Kosovës ku ka treguar se si e mori vesh që i është arrestuar djali.
“Unë kam biseduar me Arianin dje vonë pas darke, madje nusja e tij tha se ka shkruar me të deri vonë, pasi është kthyer nga puna, sepse ai punon në një lokal në Venecia. Kështu që ai ka qenë në rutinën e punës. Ai ka 10 vjet që është në Itali”, ka thënë ai në Info Magazine.
“Sa i përket këtyre gjërave që përfliten në ndonjë sulm a diçka e tillë as mendja nuk më ka shkuar. Sa i përket besimit ai e ka praktiku besimin islam. Me këta shokë që ka qenë i ka bashkuar xhamia, pasi ata kanë shkuar të falen bashkë. Ndoshta janë përcjellur për faktin që shkojnë në xhami bashkë e falen bashkë”.
“Unë kam marrë vesh nga një zyrtar i policisë për djalin. Kam kontaktuar tre katër herë, por nuk mund të komunikoja pasi italisht nuk di. Me djalin tim ende nuk kam folur, policia nuk më ka dhënë sqarime tjera”.
“Sa i përket asaj që paskan planifikuar një sulm, ajo punë nuk do të dalë kurrë. Djali im është që 10 vjet atje, ka kontribuar atje, dhe nuk ka pasur dosje në polici e as që i ka bërë keq dikujt. Kjo është veç tentim që arrestimi i tyre të bëhet më i bujshëm. S’kanë pasur kurrfarë plani për sulme. Si mund të shpallësh terroristë disa djem punëtorë?”.
“Ai që shtatë ose tetë muaj ka marrë banesë të shtrenjtë që ta marrë gruan e tij në Itali dhe i është dashur të plotësojë kushtet”, ka shpjeguar Bedri Babaj.
“Jam i indinjuar dhe i mllefosur nga lajmet që kanë dalur dhe etiketimet”, shtoi ai.