Shumë kompani janë duke përfituar padrejtësisht nga Pakoja Emergjente Fiskale dhe ky skandal duhet të ndërpritet.
Kështu ka thënë sot kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ku sipas tij, ka keqpërdorime për shpërndarjen e këtyre pagave nga kjo pako.
“Skandali i cili ka ndodhur duhet të ndërpritet dhe në njëfarë forme të pshtohet me pasoja sa më të vogla. Shumë kompani që kryejnë shërbime për institucionet shtetërore, të cilat veprimtarinë e tyre nuk e kanë pasur të ndaluar, janë kompensuar sipas kontratës ku të njëjtat kanë bërë kërkesë edhe për punëtorët e tyre nga pakoja të furnizohen me paga prej 170 euro. Një pjesë bukur e madhe e këtyre kompanive e kanë përfituar këtë mashtrim dhe punëtorëve një pjesë të madhe i kanë dhënë pagën me shifrën COVID-19 me vlerën prej 170 euro. Nëse qeveria ka menduar t’i kompensoj këta punëtorë, kompania ka qenë obliguar që pagën e paprekshme qysh e kanë marr nga Qeveria e Kosovës ta përcjellin te punëtorët”, tha Azemi.
Sipas tij, ka kompani që kanë aplikuar pa të drejtë për të përfituar nga kjo pako.
“Këtu është një neglizhencë, por ndoshta mund të themi dhe qëllimisht ka ndodhur që punëtorëve që nuk iu ka takuar paga nga Pakoja Emergjente, Qeveria e Kosovës, pa i hulumtuar mirë dokumentacionin i ka derdhur mjetet te punëtori. I kemi edhe kompanitë e tjera të cilat gjatë tërë periudhës me një tempo aq sa kanë punuar. Këtu këto kompani kanë aplikuar pa të drejtë për punëtorët e tyre që ta gëzojnë pakon prej 170 euro. Punëtorët po i fusin me qëllim që t’i nënshkruajnë kontratat me 170 euro, ku qëllimi i tyre paska qenë që një pjesë ta paguan qeveria. Në këtë rast, ndoshta me miliona euro në fondet e pronarëve të kompanie, por jo edhe te punëtorët”, tha ai.