Site icon PrishtinaPress

Azemi insiston që paga minimale të jetë 400 euro, thotë se Qeveria e rriti jashtëligjshëm në 250 euro

Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, nuk e ka konsideruar të kënaqshme vendimin e Qeverisë për rritjen e pagës minimale neto në 250 euro.

Në një konferencë të ftuar për media, Azemi ka deklaruar se e vetmja pagë minimale që pranohet nga ana e kësaj sindikate është 400 euro. Kjo, pasi sipas tij, në përllogaritjet e kësaj sindikate, aq është vlera monetare që nevojitet për mbulimin e shpenzimeve të një familjeje katër anëtarëshe.

Ai për shqetësim e ka ngritur edhe mungesën e fuqisë punëtore në sektorin privat.

“Si kriter kryesor që kemi marrë për përcaktimin e pagës 400 euro, e kemi marrë koston e shpenzimeve për katër anëtarë të familjes, të cilët me gjërat më elementare, nuk kemi mujtë të kalojmë nën 400 euro shpenzime. Cila është ajo e cila po na jep elemente shtesë që të kërkojmë shtesë, është mungesa e fuqisë punëtorë në Kosovë, pasi që në shumë kompani po nihet mungesa e punëtorëve, sa që kanë filluar edhe të mbyllen kompanitë”, ka deklaruar Azemi.

“Ne nuk mund t’ia japim mallin tonë, fuqinë tonë, dikuj tjetër për dëshira të dikuj tjetër. Për të rritur pagën minimale ka qenë edhe një element shumë i madh, për të cilën vendet në rajon janë duke e bë që të mos ikin punëtorët për vendet e tyre. Kroacia po ndan buxhet prej mijëra euro, nëse nuk gaboj për vetëm një punëtor ka nda 18 mijë euro për të mos ikë nga vendi i tyre. Ta kemi të qartë: Në asnjë rast neve nuk na obligon paga minimale e Qeverisë. Ne nuk mund të humbim për shkak të tekeve të dikuj tjetër”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai e ka konsideruar edhe si jo-ligjore mënyrën e rritjes së pagës nga ana e Qeverisë Kurti, pasi që sipas tij, së pari do duhej konsultuar Këshilli Ekonomiko-Social.

“Paga minimale nuk ka kaluar përmes procedurave që duhet të kalojë, pasi Këshilli Ekonomiko-Social duhet t’i propozojë Qeverisë, e Qeveria Parlamentit të Kosovës. Ky këshill nuk është pyet fare dhe në Qeveri ka shkuar në formë jo-ligjore, çka neve na jep një shkas edhe më shumë të mos merreni. Ne mund ta marrim si anë pozitive, por nuk i plotëson as kriteret minimale”, ka thënë ndër të tjera ai.

Exit mobile version