Site icon PrishtinaPress

Azemi i LDK-së kritikon Kurtin: Nga piroman ka kaluar në fanatik të Asociacionit

Zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Visar Azemi, i ftuar të martën në Telegrafi.com, ka kritikuar kryeministrin Abin Kurti për qasjen në dialogun me Serbinë.

Azemi që është edhe kryetar i degës së LDK-së në Ferizaj ka thënë se ky proces ka qenë tërësisht jotransparent, pasi sipas tij, nga Qeveria nuk ka pasur informacione të bollshme as për publikun e as për kuvendarët.

“Por, gjithsesi ne kemi kërkuar në vazhdimësi që të informohemi për procesin e dialogut, të cilin z. Kurti e ka mbajtur në një fshehtësi të plotë dhe nuk ka raportuar siç duhet asnjëherë. Pra, një terr informativ ka ekzistuar në opinionin publik, megjithatë aty ku duhet të kemi unitet karshi dialogut me Serbinë nuk ka ndodhur ajo transparencë, prandaj edhe javën e kaluar e kemi akuzuar Qeverinë Kurti se nuk ka dhënë informacione të bollshme”, është shprehur kryetari i Degës së LDK-së në Ferizaj.

Ai tutje ka theksuar se nuk dihet as për përmbajtjen e draftit të Asociacionit, të cilin Bashkimi Evropian ia ka propozuar Qeverisë së Kosovës së fundmi.

“Edhe sot nuk dimë se çfarë është diskutuar. Nuk dimë se çfarë përmbajtje kanë pasur ato dokumente që z. Kurti i ka pranuar nga ndërmjetësuesit ndërkombëtarë”.

Sipas Azemit, Kurti nga një piroman si opozitar është shndërruar në fanatik të Asociacionit.

“Kurti kur nuk ka qenë kryeministër ishte shndërruar në një piroman. Nuk ka lënë cep pa e kall, pa e djegë e pa e rrotullu duke e kundërshtua Zajednicën. E sot i gjejmë ato fakte dhe incizime që ekzistojnë dhe shohim që z. Kurti ka ndryshuar rrënjësisht qëndrimet të cilat i ka pasur. Kjo është fyerje për qytetarët dhe votuesit e vet”.

Exit mobile version