Site icon PrishtinaPress

AVONET-i ankohet në IPK-në se po ua pengon hulumtimin për konkursin e gradimit në gardën rreshter të policëve

Rrjeti i Organizatave Joqeveritare, AVONET, ka bërë të ditur se ka nisur procedura hulumtuese ndaj Inspektoratit Policor të Kosovës, lidhur me raportin inspektues të procesit të konkursit për gradimin në gradën rreshter, të policëve.

Në reagimin e AVONET-it, thuhet se IPK-ja me veprimet e saj, po i pengon hulumtimet, duke mos ofruar qasje në dokumentet e inspektimit, të cilat sipas tyre, është e detyruar ligjërisht që t’i ofrojë.

“Përmes vendimit refuzues ndaj kërkesave të AVONET-it, IPK ka kryer shkelje ligjore duke tejkaluar kompetencat e saj, dhe me këtë po fsheh dokumente zyrtare, duke ngjallur më tej dyshimet se ka pasur keqpërdorime në lidhje me këtë raport”.

“Në shkresën e drejtuar IPK-së, AVONET ka theksuar se kushtet ligjore për bërjen e këtij dokumenti publik janë pjekur, pasi procedura hetimore ka përfunduar. IPK ka theksuar se ka pranuar 13 ankesa dhe informacione lidhur me procesin e gradimit të policëve, por të njëjtit e kanë nxjerrur raportin e inspektimit dhe se Drejtori i Policisë tashmë ka anuluar të gjithë procesin, të dy ndodhi duke konfirmuar përfundimin e hetimit”, thuhet në reagim.

Tutje, AVONET-i tha se refuzimi i qasjes në këto dokumente, siç sipas tyre ka bërë IPK-ja, përbën shkelje ligjore dhe se vendimi për refuzim është i kundërligjshëm.

“Ndërkohë, Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun, si dhe Drejtorisë për Zhvillim të Performancës dhe Karrierës, ka shprehur gatishmëri për të ofruar dokumentet e kërkuara nga AVONET. Megjithatë, këtë rrugë hulumtimi e kemi lënë si opsion të fundit, dhe IPK duhet ta ketë të qartë se do ta ndjekim këtë rrugë nëse detyrohemi ta bëjmë”.

“Për arsye të korrektësisë dhe për të siguruar një mbledhje të plotë dhe të saktë të të gjitha informacioneve dhe dokumenteve, sipas standardeve të hulumtimeve, është e nevojshme të shqyrtojmë hapat e subjektit të hulumtimit dhe jo të subjektit që vetëm i ka prodhuar ato dokumente”, thuhet tutje në reagim.

AVONET e paralajmëruan IPK-në se do të ndjekin të gjitha rrugët ligjore për trajtimin e këtij rasti.

Exit mobile version