Institucionet e drejtësisë dhe sigurisë janë treguar të paafta për të mbrojtur të miturin nga Fushë Kosova, i cili vdiq dy vjet më parë.
Avokati i Popullit ka theksuar se rasti tragjik i 11-vjeçarit, Kujtim Veseli, përbën shkelje nga institucionet që janë marrë me këtë rast, andaj edhe ishte kërkuar hetim i brendshëm nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Në samitin për antigjipsizëm, mbrojtja ka kërkuar drejtësi për të miturin e komunitetit ashkali, ku tha se ky rast është neglizhuar për shkak të përkatësisë etnike.
Në verën e 2019-së, Kujtim Veseli u gjet i vdekur poshtë shkallëve të një objekti banimi në lagjen “Xhemajl Mustafa”, në Fushë Kosovë. Ai ishte dhunuar për muaj radhazi nga personi me inicialet S.O.
Në panelin e diskutimit “Bashkëpunimi ndërsektorial, qasja në drejtësi dhe antigjipsizmi zbërthyer përmes rastit të Kujtim Veselit”, Avokati i Popullit Naim Qelaj tha se në rastin e këtij të mituri janë bërë shkelje nga institucionet e drejtësisë.
“Janë dy lëshime që kanë sjellë deri te ky rast, të cilat janë të paarsyeshme dhe në nën çdo nivel të profesionalizmit në ushtrimin e punës së një prokurori. I dyshuari që e ka kryer veprën penale, ka qenë i akuzuar me 18 vepra penale, dhe ka pasur 29 kallëzime penale.
Kjo është rrethana e tretë e cila këtë rast e bën specifik dhe të veçantë e tragjik. Edhe pas kaq vitesh ne ndihemi në pozitë të vështirë kur flasim, sepse institucionet që është dashur të reagojnë, janë treguar të paafta për t’i ofruar mbrojtje një fëmije të mitur, i cili sot është viktimë”, ka thënë ai.
S.O. është akuzuar për keqpërdorim seksual edhe pse dokumentacionet provat flasin që ka pasur edhe dhunim seksual. Dënimi i parashikuar me Kodin Penal është i lartë, por është vijuar me procedura të rregullta.
“Avokati i Popullit në atë kohë ka reaguar me rekomandim, fillimisht duke konstatuar që në këtë rast janë shkelur të drejtat e njeriut. Shteti nuk ka arritur të veprojë, të kryer detyrimin pozitiv për mbrojtjen e jetës, nuk ka reaguar me kohë dhe nuk i ka respektuar detyrat ligjore në procedurën penale për të mundur të evitohen pasojën, e cila është shkaktuar.
Njëra nga rekomandimet është që Këshilli Prokurorial i Kosovës duhet të fillojë hetim të brendshëm për shkak të lëshimeve të prokurorisë në përmbushjen e detyrave dhe detyrimeve që dalin në këtë rast”, ka thënë Qelaj.
Për njërin prokuror është shqiptuar një masë disiplinore për zbritje në pagë prej 30 për qind prej gjashtë muajve.
Por për këto sanksione, familja e as mbrojtja nuk kanë pasur qasje në dokumente.
Avokatja Rina Kika tha se rasti i të ndjerit tregon neglizhencën e shtetit. Përkatësia e tij etnike, sipas saj, ka qenë faktor që ky rast të mos merret parasysh nga institucionet.
“Po vazhdon neglizhenca dhe qasja shpërfillëse që të minimizohet dëmi. Po flasim për një fëmijë 10-vjeçar që është dhunuar vazhdimisht. Kjo është konstatuar edhe prej Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila e ka dënuar personin S.O. me 25 vjet burg. Dhe ky aktgjykim është konfirmuar edhe prej Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme. Pse është neglizhuar rasti i Kujtimit, për mua është e qartë se përkatësia e tij etnike e tij dhe e dhunuesit ka qenë një faktor i rëndësishëm se pse ky rast nuk është trajtuar”, ka deklaruar Kika.
Në ditën e dytë të samitit për antigjipsizëm, me sloganin “Trasimi i rrugës për ndryshim”, këshilltari politik i ministres së drejtësisë, Eros Gashi u shpreh se pjesëtarët e tri komuniteteve po përballen me diskriminim në gjitha format.