Avokati Ardian Bajraktari ka përmendur problemet e Projektligjit për Këshillin e Pavarur të Mediave, i cili dje është miratuar në lexim të parë në Kuvendin e Kosovës.
Ai ka bërë me dije e projektligji në fjalë nuk është në përputhje me direktivat përkatëse të BE-së.
Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka numëruar disa nga problemet e këtij ligji.
Sipas tij, cenimi i ndonjërës prej të drejtave të garantuara me kapitullin II të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, do të duhej vlerësuar si rrethanë e mjaftueshme për kthim në rishqyrtim të ligjeve të miratuara.
“Rreth Ligjit të Komisionit të Pavarur për Media, tashmë të miratuar, krahas shumë aspekteve të diskutuara e shumë reagimeve, vlen të theksohet se me anë të Ligjit të ri, nga shumë ndryshime substanciale e që sipas vet nenit 2 të Projektligjit të miratuar thuhet se i njëjti është pjesërisht në përputhje me direktivat përkatëse të BE-së, d.m.th. nuk është në përputhje. Po ashtu vlen të theksohet se është hequr mekanizmi përkatësisht Bordi i Ankesave që ishte paraparë me ligjin aktual, madje duke ja kushtuar një kapitull të tërë (kapitullin VI), ndërsa me draftin e miratuar, kjo çështje është hequr tërësisht, me çka bënë një devijim nga rregulli parimor i dyshkallshmërisë në procedurë administrative. Me këtë nënkupton se vendimet e Komision janë përfundimtare, në procedurë administrative, dhe ato mund të goditen vetëm me padi në gjykatë”, ka shkruar ai.
Sipas tij, kjo do të shkaktonte ngarkesë në punën e gjykatave.
“Heqja e Bordit të Ankesave, nënkupton që palët t’i drejtohen gjykatës, si me padi, ashtu edhe me propozim për masë të përkohshme, e kjo nënkupton, ndër të tjera edhe ngarkesë shtesë për sistemin gjyqësor, edhe ashtu të ngarkuar. Për më tepër, cenimi i ndonjërës prej të drejtave të garantuara me kapitullin II të Kushtetutës, ku hynë edhe liria e mediave përmes të cilës garantohet liria dhe pluralizmi i mediave, do të duhej vlerësuar si rrethanë e mjaftueshme përmes të cilës plotësohet standardi i përcaktuar me nenin 84 (Kompetencat e Presidentit), pika 6, sipas të cilës ndër të tjera përcaktohet se Presidenti/ja ka të drejtën e kthimit për rishqyrtim të ligjeve të miratuara, nëse konsideron se janë të dëmshme për interesat legjitime të Republikës së Kosovës”, ka vlerësuar ai.