Avokati serb, Çedomir Stojkoviq, i cili ka marrë përsipër mbrojtjen e tre policëve të Kosovës të kidnapuar nga forcat speciale serbe, ka thënë se ky veprim nga ana e Serbisë është shkelje e Marrëveshjes së Brukselit.
Përmes një postimi në Twitter, ai thotë se në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, Serbia e trajton Policinë e Kosovës si forcë të armatosur legale, raporton Klankosova.tv.
Sipas Stojkoviqit, edhe nëse ndonjë pjesëtar i PK-së gjendet në territorin e Serbisë, kjo e fundit nuk mund t’i arrestojë nëse të njëjtit nuk shkelin ndonjë ligj tjetër.
“Prandaj, nëse pjesëtari i asaj policie gjendet me armë në territorin e Serbisë pa i shkelur ligjet tjera, ai nuk mund të arrestohet, sepse statusi i tij për Serbinë është po aq i ligjshëm sa statusi i policisë së Republikës së Serbisë”.
“Nëse Serbia bën të kundërtën, do të thotë se po shkel Marrëveshjen e Brukselit. Dhe Serbia po bën pikërisht të kundërtën”, theksoi avokati Çedomir Stojkoviq.
Gjatë ditës së djeshme, Sekretari i Përgjithshëm i Institutit për Strategjinë Euroatlantike, Boban Bogdanoviq, ka bërë të ditur se është caktuar një avokat për tre policët e kidnapuar të mërkurën nga njësitet speciale serbe.
Bogdanoviq tha se kontaktin e avokatit të tre policëve ia ka përcjellë ministrit për Kthim dhe Komunitete, Nenad Rashiq.