Avokati Skënder Musa, lidhur me vrasjen makabre në Pejë, ka thënë se i njëjti rast duhet të studiohet nga ekspertët për shkak se sipas tij, prova më e rëndësishme është nxjerrja e ekspertizës.
Musa ka theksuar se nuk ka ndodhur ndonjëherë raste të tilla në vend.
“Në Kosovë nuk ka pasur raste të tilla por nga aspekti penalo-juridik njihen këto krime mirë dhe janë 2 shkolla që merren në mënyrë më konkrete juridike me këto probleme, është shkolla antropologjike që lidhet me sëmundjet psikike dhe vrasjet nga shprehia dhe shkolla pozitive që e merr si orientim ambientin ku është rritur, mjedisin dhe raportet familjare. Kodi penal i Republikës së Kosovës e konsideron vrasje të rëndë, këtë rast ku është fatkeqësisht rast në familje, ku kemi të bëjmë me vrasjen e nënës”.
“Gjithsesi në këtë rast primare duhet të jetë ekspertiza e institutit të fornezikës së Kosovës sepse në vendin tonë realisht nuk ka pasur krime të tilla. Bëhet fjalë për një vrasje që është me heqje koke, ndarja e kokës nga trupi dhe që len me kuptu që personi nuk ka qenë në ato momente në gjendje normale”, shtoi ai.
Sa i përket formave objektive të përgjegjësisë, format apo elementet objektive të veprës penale Musa ka thënë se janë përmbushur të gjitha ndërkaq elementi subjektiv që krijohet “me dashje të drejtpërdrejta apo eventuale varet shumë nga gjendja e tij shëndetësore”.
“Avokati mbrojtës e ka sqaruar që klienti i tij ka qenë në një gjendje tronditjeje të fortë mendore. Nuk duhet të ngutemi sepse mund të ndodhë që vepra penale të jetë kryer me gjakftohtësi. Në këtë rast institucionet e kanë trajtuar mirë por është tejet urgjente që të dërgohet në institutin e forenzikës psikiatrike të vërtetohet shkalla e përgjegjësisë penale”.
Ai thotë se një person i tillë, i rrezikshëm, duhet të jetë i izoluar, teksa shton se numri i vrasjeve brenda familjes dhe numri i dhunës, janë rritur.
Zyrtarët e Policisë së Kosovës kanë njoftuar se të premten, në qytetin e Pejës, është arrestuar një person i dyshuar për vrasjen e nënës së tij.
Komandanti i stacionit policor në Pejë, Ndue Nikolla, ka deklaruar para mediave se rreth orës 16, Policia e Kosovës ka pranuar informatën se në rrugën “Mbreti Zog” në Pejë, ka ndodhur një incident brenda një familjeje.
Sipas tij, policia ka konstatuar se “bëhej fjalë për një vrasje të rëndë”, si dhe “ka arritur të arrestojë të dyshuarin për kryerjen e veprës”.
Zyrtarët e Prokurorisë Themelore në Pejë e kanë përshkruar rastin si mjaft të rëndë.
Prokurorja e rastit, Sahide Gashi ka bërë të ditur se “dyshohet se i biri e ka privuar nga jeta të ëmën”.
“Kemi dalë në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipin e forenzikës, janë izoluar të gjitha gjurmët, janë mbledhur të gjitha provat. Kemi urdhëruar autopsinë e të ndjerës”, tha prokurorja Gashi.
Sipas saj, janë siguruar edhe dëshmitarë të afërt të ngjarjes.
“Kemi provuar që të dyshuarin ta marrim në pyetje, në prani të mbrojtësit, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të përgjigjet. Kemi urdhëruar që, nesër, në prezencë edhe të psikologut dhe avokatit mbrojtës, të provohet që të merret deklarata e tij”, theksoi prokurorja Gashi.
Ajo shtoi se në bazë të rrethanave, do të urdhërojnë edhe ekzaminimin e të dyshuarit në Instituin e Psikiatrisë Forenzike.
Megjithatë, as zyrtarët e policisë dhe as prokurorisë nuk kanë dhënë sqarime specifike se në çfarë mënyre dhe me çfarë mjetesh është kryer vepra penale e vrasjes. Gjithashtu, ata nuk kanë dhënë as sqarime se cilat janë motivet e dyshuara për veprën penale, duke thënë se rasti është ende në fazën e hetimeve.
Nga viti 2010 deri më 1 dhjetor 2022, në Kosovë janë vrarë 50 gra.
Organizatat për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, në disa raste, kanë fajësuar autoritetet për dështim në mbrojtjen e grave të rrezikuara nga dhuna.