Avokati Skender Musa ka dhënë komentet e tij rreth çështjes së zgjerimit të aktakuzës nga Prokuri i Specializuar ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) që po gjykohen nga Gjykata Speciale.
Musa ka thënë se aktakuza gjithmonë duhet të jetë e plotë dhe jo e redaktuar sepse, përndryshe, është shkelje e të drejtave të paraburgosurit.
Musa ka shpjeguar se si kodet penale të Evropës janë zbatuar edhe në Ish- Jugosllavinë, ku sipas këtyre kodeve, i pandehuri duhet të pajiset me të gjitha shkresat e lëndës, para fillimit të procesit gjyqësor.
Sipas avokatit, kur i akuzuari deklarohet se nuk e ka kuptuar aktakuzën, Gjykata nuk mund të thirret se ka qenë deklarimi i plotë i të akuzuarit lidhur me aktakuzën, për shkak se ky është kusht ligjor.
“I akuzuari duhet ta kuptojë aktakuzën edhe nëse ky i fundit deklarohet se nuk është duke e kuptuar aktakuzën për shkak të redaktimit, atëherë gjykata duhet të ftojë prokurorinë e çështjes, që ta sqarojë aktakuzën, në mënyrë që, i pandehuri ta ketë të qartë dhe pastaj të deklarohet”, tha Musa.
Musa duke folur për zgjerimin e aktakuzave ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së thotë se pas qershorit të vitit 1999 pushtetin politik e ka pasur UNMIK-u, derisa për sigurinë është kujdesur KFOR-i.
“Pas kësaj date UÇK-ja nuk ka pasur asnjë lloj kompetence në bazë të Marrëveshjes së Kumanovës. Pavarësisht nëse është vraje apo rrëmbim, nuk mund të konsiderohet krim lufte. Asnjë vrasje që është kryer pas qershorit të vitit 1999, pra pas përfundimit të luftës, nuk mund të konsiderohet si krim i luftës apo krim kundër njerëzimit, por vrasje e rëndomtë. Mund të konsiderohet vrasje e rëndë por duhet të gjendet saktë autori i kësaj vepre”.
Avokati megjithatë thotë se Gjykata Speciale mund t’i gjykojë edhe vrasjet e pasluftës por sipas tij ato gjykime ndryshojnë.