Site icon PrishtinaPress

Avokati i Veselit thotë se Prokuroria po tenton ta zgjasë gjykimin 10 vjet, i kërkon gjykatësit të veprojë

Ben Emmerson, avokati mbrojtës i Kadri Veselit i ka kërkuar gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Speciale qe te mos e lë të lirë prokurorinë në menaxhimin e çështjes, pasi sipas tij, ajo po tenton qe të ndërtojë një proces qe do te zgjasë 10 vjet.

Emmerson tha se me dëshmitarët dhe provat e paraqitura, prokuroria po tenton ta zgjasë gjykimin, përkundër qe deklaroi se nuk ka ende asnjë dëshmi për përfshirjen direkte në krime për asnjë prej të akuzuarve. Kjo qasje e prokurorisë, tha avokati, e dëmton drejtësinë ndërkombëtare.

“Gjithçka është mbështetur në ngjarje, ku asnjëri prej të akuzuarve nuk është i përfshirë.

Prokuroria ka dhënë vlerësimet për kohën që i duhet për dëshmitarët. Por, këto vlerësime kërkojnë më shumë se 1300 orë vetëm që t’i pranojë pyetje e prokurorisë. Në rastin e Millosheviqit, prokuroria shfrytëzoi vetëm 360 orë. Në rastin tonë, Prokuroria kërkon 1300 orë vetëm për pyetje të drejtpërdrejta”, deklaroi më tej avokati Emmerson.

“Sipas kësaj përllogaritje, do të zgjaste gati 11 vite. Përveç dëshmitarëve, prokuroria ka prezantuar 16 mijë prova materiale. Pra, Prokuroria duhet të jetë në gjendje të shtrëngojë rripin dhe të provojë çështjen e saj, se po u lejua me këto shifra do të vazhdojë për 10 vite. Kjo nuk i ndihmon drejtësisë. Mohon drejtësinë për të akuzuarit, për viktimat dhe dëshmitarët. Është fatkeqësi dhe e bën gjykatën qesharake. Pra, dikush duhet t’i thotë Prokurorisë që ta menaxhojë punën e vet”

“Ne e dimë se çfarë përpiqen të arrijnë këto akuza, por Prokuroria nuk duhet të mos marrë parasysh kohëzgjatjen e gjyqit. Në qoftë se nuk ndërhyni dhe veproni, mund të themi se ia keni liruar dorën Prokurorisë. Ky është rasti për të bërë diçka për këtë situatë. Mendoj se është pjesë e funksioneve tuaja për t’i vendosur afate Prokurorisë. Ju ftoj të pranoni përgjegjësitë e vërteta për të vendosur këtë. Nëse nuk e bëni, duhet ta kuptoni se situata ka dalë jashta kontrollit”, ka thënë më tej avokati i veselit në seancën statutore.

Exit mobile version