Site icon PrishtinaPress

Avokati i Popullit nis hetimet për fondin e dyshimtë të qeverisë

Avokati i Popullit, ka nisur hetimet për abuzim apo shkelje eventuale të të drejtave të njeriut nga Zyra për Çështje të Komuniteteve, që funksionon në kuadër të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Avokati i Popullit u vë në lëvizje, duke u bazuar në ankesën e tetë organizatave jo-qeveritare nga komuniteti serb. Sipas njoftimit të martën, Avokati i Popullit ka njoftuar njërin prej këtyre organizatave që ishte parashtruese e kërkesës për fillimin e hetimeve.

Tetë organizata të shoqërisë civile nga komuniteti serb ishin ankuar me vendimin për ndarjen e mjeteve për organizatat joqeveritare dhe media nga Qeveria e Kosovës.

“Në bazë të nenit 21.1, Avokati i Popullit shqyrtoi ankesën tuaj, të dorëzuar më 08.08.2023, në lidhje me pretendimet për shkeljen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ose abuzimin nga autoritetet publike dhe në përputhje me nenin 21.1.2. të Ligjit për Avokatin e Popullit, vendosi të pranojë ankesën tuaj dhe të fillojë hetimin për shkelje të mundshme të të drejtave të njeriut”, thuhet mes tjera në njoftimin e Avokatit të Popullit.

Dyshimet për keqpërdorime në ndarjen e fondeve të Zyrës së Kryeministrit të Kosovës për përkrahjen e komuniteteve, i pati ngritur në gusht ish-këshilltarja e kryeministrit, Elizabeth Growing.

Këshilltarja për komunitete e kryeministrit Kurti kishte thënë se nuk është pajtuar me një vendim të Komisionit Vlerësues të Zyrës për Çështje të Komuniteteve për ndarjen e mjeteve, të cilat ishin dedikuar për OJQ dhe media në përkrahje të komuniteteve.

Gowing e kishte vlerësuar të “pambrojtshëm” vendimin e komisionit për ndarjen e fondit që peshonte rreth 500 mijë euro. Ka thënë se si pasojë, nuk do të vazhdojë të punojë në Zyrën e Kryeministrit.

Thirrjen për mbështetje financiare të OJQ-ve dhe mediave e ka hapur më 31 maj të këtij viti Zyra për Çështje të Komuniteteve në Zyrën e Kryeministrit. Rezultatet preliminare të përfituesve janë shpallur më 10 korrik.

Exit mobile version