Avokati i Popullit i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese lidhur me Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, me kërkesë për vlerësimin e përputhshmërisë me Kushtetutën. Për këtë ligj, Presidentja Vjosa Osmani kishte pasur një diskutim të tensionuar me Kryeministrin Albin Kurti.
Dispozita e kontestuar ka të bëjë me kuotën gjinore. Sipas Avokatit të Popullit, përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave.
“Dispozita e kontestuar ( neni 28 Ligjit nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës) ka lënë përkufizimin e njëjtë nga ligji i kaluar, ashtu që ka përcaktuar se “Në listën e kandidatëve të secilit subjekt politik së paku tridhjetë (30%) për qind janë meshkuj dhe së paku tridhjetë (30%) për qind janë femra; me nga një kandidat të secilës gjini përfshirë së paku njëherë në secilin grup prej tre kandidatëve, e që numërohet nga kandidati i parë në listë.”, thuhet në njoftim.
Avokati i Popullit ka kërkuar nga Kushtetuesja të vlerësojnë “Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës; – Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; dhe – Nëse dispozita e kontestuar është në përputhshmëri me nenin 45, paragrafi 1 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës.
“Kërkesa është parashtruar pasi që Avokati i Popullit është i bindur se përcaktimi i kuotës “së paku 30%” për secilën gjini e përligj trajtimin e pabarabartë të grave. Një rregullim i tillë ligjor ka dëshmuar në praktikë se gratë në vazhdimësi mbeten të nën-përfaqësuara në listat zgjedhore, duke u përmbushur vetëm minimumi i përcaktuar me ligj, e që ky minimum nuk pasqyron barazi për grate”, thuhet në njoftim.