Avokati i Nasim Haradinajt, Toby Cadman, ka folur në një intervistë për Televizionin T7 disa ditë pas shpalljes së verdiktit nga Gjykata Speciale ndaj Haradinajt dhe Hysni Gucatit, nën akuzat për pengim të administrimit të drejtësisë.
Ai ka thënë se vendimi do të apelohet në shkallën e dytë, me shpresën që argumentet e mbrojtjes të shqyrtohen edhe një herë në mënyrë të duhur, përderisa ka zbuluar se vetëm një ditë para shpalljes së verdiktit, e kishte takuar Haradinajn dhe ai kishte thënë se ai ishte i përgatitur për dënimin.
Cadman është shprehur i zhgënjyer me dënimin ndaj klientit të tij, duke thënë se kishte konsideruar që dëshmitë e përgatitura për mbrojtjen e Haradinajt, ishin të forta.
“Natyrisht, ne ishim shumë të zhgënjyer me vendimin. Ne konsideruam se çështja që ne kishim paraqitur ishte e fortë dhe çështja që kishte paraqitur prokuroria ishte e pamjaftueshme për të përmbushur, siç e dimë, barrën e të vërtetuarit jashtë dyshimit të arsyeshëm. Ne konsideruam se kishim parashtruar një rast mjaft të fortë për z. Haradinaj që të shpallet i pafajshëm për të gjitha pikat. Pra, ne ishim të zhgënjyer”, deklaroi ai.
Megjithatë, ka deklaruar Cadman, ai dhe klienti i tij Haradinaj, ishin të përgatitur edhe për më të keqen. Pra, edhe dënimin që edhe u shqiptua nëntë ditë më parë nga trupi gjykues, i drejtuar nga Charles Smith.
“Epo, ju kurrë nuk doni të thoni, sa herë që përfshiheni në një proces si ky, kurrë nuk dëshironi të thoni se përfundimi dihet. Por ne, unë dhe z. Haradinaj, ishim të përgatitur për më të keqen. Ne ishim të përgatitur që ai do të dënohej dhe arsyet që ne parashtruam, si pjesë e mbrojtjes së tij, ishin interesi publik dhe se kishte vështirësi gjatë gjithë procesit gjyqësor për sa i përket zbulimit të provave”, deklaroi tutje avokati Cadman për T7.
Ndonëse të përgatitur “për më të keqen”, për avokatin Cadman, dënimi i shqiptuar ndaj Haradinajt prej katër vjetësh e gjysmë, është jashtëzakonisht jo proporcional. Ai zbuloi edhe një takim me Haradinajn një ditë para shpalljes së dënimit dhe tregoi se ai ishte i përgatitur për dënimin.
“Është gjithmonë shumë e vështirë ato momentet e para kur një person është dënuar në rrethana të tilla dhe merr një dënim që ne mund ta përshkruajmë vetëm si jashtëzakonisht jo-proporcional. Kam takuar z. Haradinaj një ditë më parë, në njësinë e paraburgimit, ku diskutuam se cilat ishin përfundimet e mundshme të seancës dhe ai ishte përgatitur për dënim”, tha Cadman, duke thënë se besonin që dënimi ndaj Haradinajt do të ishte maksimalisht për kohën sa kishte qëndruar në paraburgim.
“Dhe pa harruar se shumica dërrmuese e këtyre rasteve në gjykatat ndërkombëtare kanë rezultuar me një dënim financiar në fund, jo me burgim të gjatë. Pra, mendoj se z. Haradinaj ishte i përgatitur për më të keqen. Dënimi që u dha ishte dënimi më i ashpër i dhënë ndonjëherë në një rast si ky, sigurisht që është tronditës. Dhe sigurisht, fakti se do t’i duhet të kalojnë një periudhë shtesë deri në 2 vite burg është tronditës, është tronditës për të gjithë”, tha tutje avokati i Haradinajt.
Për Cadman, mbrojtja e Haradinajt, me sukses kishte arritur të argumentojë se klienti i tij kishte vepruar në të mirë të interesit publik, ndonëse gjykata e hodhi poshtë këtë arsyetim.
“Kjo është e vërtetë. Që në fillim të procedurës, ne kishim argumentuar se z. Haradinaj kishte vepruar në interes të publikut. Arsyeja e veprimeve të tij ishte se ai donte të siguronte që procesi të ishte transparent. Ajo që duhet të kuptoni është se z. Haradinaj gjithmonë ka deklaruar dhe ka shprehur shqetësimet e tij se procesi dhe politika e prokurorisë është një nga praktikat diskriminuese, me shënjestër vetëm tek pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Se nuk ka pasur asnjëherë, dhe ende sot e kësaj dite, nuk ka hetime për mizoritë e kryera nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe gjatë luftës. Kur i shikojmë njëmbëdhjetë mijë plus vdekjet gjatë asaj lufte, shumica dërrmuese e tyre, në një përqindje shumë të lartë janë kryer nga forcat serbe dhe natyrisht një individ si z. Haradinaj i cili ka vuajtur nga represioni serb dhe është persekutuar gjithë jetën e tij, po ashtu familja e tij ishte persekutuar, kur u bë e qartë se Zyra e Prokurorit të Specializuar po bashkëpunonte me persona në Serbi që dyshohej se kishin mori pjesë aktive në mizoritë në Kosovë, sigurisht se kjo ishte një çështje që ai mendonte se ishte e nevojshme për interesin publik”, tha ai.
Cadman ka folur edhe për avokatin Tomë Gashi, i cili ishte avokat i udhëheqëve të OVL-së në kohën që publikoheshin dokumentet e klasifikuara nga ta, dhe i cili është akuzuar se ka këshilluar gabimisht Haradinajn e Gucatin për publikimin e dëshmive.
Megjithatë, ai ka refuzuar të komentojë mbi këshillat që Gashi mund t’ia ketë dhënë Haradinajt e Gucatit, përderisa ka thënë se priste që avokati të ftohej në gjykatë në cilësinë e dëshmitarit.
“Pra, jam i vetëdijshëm se z. Tomë Gashi ishte përfaqësues ligjor për një periudhë kohore të Shoqatës së Veteranëve të Luftës. Nuk mund të komentoj se çfarë këshille mund ose jo t’i ketë dhënë z. Haradinajt dhe z. Gucatit. Ai ishte një individ që ne e konsideronim si dëshmitar. Në fund ne nuk e thirrëm atë si dëshmitar dhe kështu çfarë këshillash mund t’i kishte dhënë ose jo z. Haradinaj, nuk ka qenë një çështje që ne e kemi parashtruar në gjykim”, tha ai.
Cadman ka thënë se vendimi do të apelohet në shkallën e dytë, me shpresën që argumentet e mbrojtjes të shqyrtohen siç duhet.
“Si avokat, më duhet të besoj në proces. Natyrisht, ne jemi të zhgënjyer me gjykimin e shkallës së parë, por është gjykimi i shkallës së parë. Tani ne do ta apelojmë vendimin. Shpresojmë që argumentet të shqyrtohen siç duhet. Natyrisht, ne do të argumentojmë një sërë arsyesh të ndryshme apelimi që shkojnë në zbehje të trupit gjykues, por edhe në zbehje të procesit. Sërish nuk do të ishte e përshtatshme që unë të diskutoja provat e përfshira në këtë rast ose bazat specifike në këtë fazë, sepse kjo është një çështje që është ende në shqyrtim e sipër. Por ne do të plotësojmë deri më 17 qershor të gjitha bazat e apelit, dhe më pas do të kemi një periudhë të mëtejshme për të paraqitur një përmbledhje të plotë të apelit që gjithashtu synojmë ta bëjmë”, theksoi ai.