Serbia sot ka dërguar kërkesën zyrtare për ekstradim të Ramush Haradinajt në Serbi. Avokati Toma Fila ka thënë se bashkë me kërkesën e ekstradimit janë dërguar edhe prova të reja të cilat, sipas tij, nuk ishin në aktakuzën e Tribunalit të Hagës
“Prokuroria e Hagës ka akuzuar Haradinajn në mënyrë që ai të lirohet”, ka thënë avokati Fila, menjëherë pasi Gjykata në Colmar kishte thënë se çështja e Haradinajt do të gjykohet vetëm nëse Serbia sjell fakte të reja, fakte për të cilat Haradinaj nuk u gjykua në Hagë, shkruan Tanjug, transmeton Express.
Ramush Haradinaj ishte gjykuar dy herë në Tribunalin e Hagës nën akuzën për krime të luftës, ku nga të dyja gjykimet, doli të jetë i pafajshëm.
Ai u arrestua javë më parë në aeroportin e Bazelit, në zonën franceze të Mulhouse nga autoritetet franceze, nën akuzën se kishte kryer krime të luftës. Flet-arrestimin ndërkombëtar e kishte lëshuar Serbia në vitin 2004.