0.7 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Buy now

spot_img

Avokati i Milaim Zekës, thotë se prokuroria u ngut me veprimet e saja

Mëngjesin e sotëm është arrestuar deputeti i NISMA-s, Milaim Zeka.

Këtë për lajmi.net e ka konfirmuar edhe zëvendësprokurori i Prishtinës, Ibrahim Berisha i cili ka bërë të ditur se Zeka është arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale, kanosje.

Lajmi.net ka kontaktuar edhe me avokatin e deputetit Zeka, Gazmend Halilaj.

Ai ka thënë se prokuroria e ka caktuar masën e ndalimit pa kurrfarë baze ligjore.

Siç thotë ai, deklarata e Milaim Zekës nuk kishte elemente të veprës penale.

“Prokuroria e ka caktuar masën e ndalimit pa kurrfarë baze ligjore. Për tu konsideruar vepra penale e kanosjes, duhen tri elemente, ku përfshihet ajo e kundërligjshme, kundër jetës dhe trupit, dhe kjo asnjë element nuk e ka. Zeka nuk është profesionist i kësaj lëmie dhe ai ka aluduar në padi civile. Ai është me profesion gazetar dhe nuk ka ditë atë shprehje. Prokuroria  me këtë rast i ka keqpërdorë autorizimet e saja”, ka thënë Halilaj.

“Në bazë të nenit 188 të KPKK-së, masa e paraburgimit i jepet vetëm si masë  e fundit për tu siguruar prania e subjektit në procedurë dhe për tu siguruar rrjedha e suksesshme e procedurës penale. Atëherë nëse paska prokuroria pretendime që dikush ka kry vepër atëherë nuk ka nevojë për hetime shtesë, pra ndikimi negativ në procedurë penale është i pamundshëm”, ka thënë tutje ai.

Halilaj po ashtu ka thënë se Zeka është i gatshëm që pafajësinë e vet ta dëshmojë në Gjykatë.

Ai shton se beson që Gjykata do ta vlerësonte kërkesë të pabazuar nëse Prokuroria kërkon masë shtesë për deputetin Zeka.

“Nëse ka qenë për tu siguruar prania e tij në procedurë, Milaim Zeka e ka dëshmuar se asnjëherë nuk i është shmangur organeve të drejtësisë, përkundrazi me kënaqësi del e provon pafajësinë e tij para gjykatës dhe çdo institucioni relevant. Konsideroj  se ka qenë veprim tepër i ngutshëm nga Prokuroria, më tepër në ndikimin e mediave. Mendoj se ai menjëherë do të lirohet, dhe nëse prokurori bën kërkesë për vazhdim të masës, besoj fuqishëm që Gjykata do ta cilësoj si të pabazuar duke mos i shqyrtuar as masat e tjera më të buta”, ka përfunduar ai.

Theksojmë se Zeka është arrestuar në lidhje me deklaratat e tij për prokurorin special, Afrim Shefkiu.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img