Dëshmitari i tretë i Zyrës së Prokurorit të Specializuar(ZPS), në gjykimin ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt, Miro Jukiq ka thënë se pas rrjedhjes së dokumenteve ka kontaktuar me dëshmitarë që sipas tij ishin të frikësuar.
Gjatë dëshmisë së tij, punonjësi i sigurisë në ZPS ka thënë se pas secilës bisedë e ka përpiluar edhe notën zyrtare, por për të njëjtat janë gjetur mospërputhje ne data. Pyetjet e mbrojtjes së Gucatit, avokatit Jonathan Elystan Rees kanë qenë lidhur me këtë çështje dhe ai ka vënë në dyshim deklaratat e dëshmitarit duke thënë se ai po sajon rrëfime në mënyrë që të shpjegojë mospërputhjen me data.
Dëshmitari i tretë i ZPS-së, në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Miro Jukiq ka thënë se udhëheqës i ekipit për siguri dhe trajtim të dëshmitarëve deri në dhjetor të vitit 2020 ishte Martin Godman. Sipas tij, Godman u largua nga ZPS për shkak të BREX-it meqë ishte shtetas i Britanisë së Madhe.
Këtë post e ka marrë pastaj Miro Jukiq, i cili deri atëherë ishte punonjës i sigurisë.
I pyetur pse nuk janë regjistruar në sistem notat zyrtare menjëherë pasi kanë kontaktuar dëshmitarët, Jukiq ka thënë se disa i ka regjistruar më vonë për shkak se ka menduar që të njëjtat i ka vënë në sistem shefi i ti, e në disa raste ka shtuar se nuk ka mundur të dalë në zyrë për shkak të pandemisë.
E krejt këto përgjigje i ka vënë në dyshim avokati Rees.
Avokati Rees: Javën që shkoi thatë se kishte një vonesë sepse nuk ishin në zyrë për shkak të pandemisë, kështu është?
Dëshmitari Jukiq: Po.
Avoakti Rees: Ne ju pamë në zyrë më herët në 27 tetor 2020, apo jo?
Dëshmitari Jukiq: Po.
Avokati Rees: Nëse kjo notë ka datë përpara kësaj date, pse nuk e keni dorëzuar atë datë?
Dëshmitari Jukiq: Gjatë këtij ushtrimi shefi i ekipit na kërkoi që t’i dërgonim nota zyrtare me mjete zyrtare, dhe ai pastaj e kishte për detyrë t’i dorëzonte në sistem.