Site icon PrishtinaPress

Avokati i familjes së Marigona Osmanit: Dardan Krivaqa është dashur të ishte në burg deri në tetor të vitit 2022

Dardan Krivaqa, i dyshuar për vrasjen e ish-partneres së tij 18-vjeçare, Marigona Osmani, ka qenë i dënuar edhe më herët. Ai ishte dënuar me dy vite burgim me kusht për “vjedhje të rëndë”, dënim që do ta kryente nëse do të bënte ndonjë vepër tjetër penale. Por, pavarësisht se ai kishte kryer edhe një vepër tjetër penale gjatë të njëjtit vit, Krivaqa nuk ishte dërguar për vuajtje të dënimit, tha avokati i familjes Osmani, Gazmend Rexhepi.

Avokati i familjes së Marigona Osmanit, Gazmend Rexhepi, tha për Gazetën Express se ish-partneri i 18-vjeçares, Dardan Krivaqa, është dashur të ishte në burg deri në tetor të vitit 2022.

Sipas avokatit Rexhepi, në nëntor të vitit 2020 Krivaqa ishte dënuar me dy vite burgim për veprën penale “vjedhje e rëndë” në bashkëryerje, megjithatë dënimi nuk do të ekzekutohej nëse gjatë asaj kohe i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale.

Pavarësisht kësaj, avokati Rexhepi thotë se pas shqiptimit të dënimit Dardan Krivaqa ka kryer vepër tjetër penale.

“Më 03.11.2020 ka kryer veprën penale në bashkëkryerje vjedhje e rëndë nga neni 253 paragrafi 1 nën paragrafi 1 lidhur me nenin 23 të KPK-së, për të cilën i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej dy (2) vjet, i cili dënim nuk do të ekzekutohet në kohën prej dy (2) vjet nëse i pandehuri nuk kryen vepër tjetër penale, i cili vendim ka marr formën e prerë më 15.01.2021”. Pas kësaj date kryen vepër tjeter penale. Ku më 05.02.2021, është gjykuar për veprën penale lëndim i lehtë trupor nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, nën paragrafi 1.4 të KPRK-së për të cilën i është shqiptuar dënim burgimi në kohëzgjatje prej njëqindetetëdhjetë (180) ditëve, i cili vendim ka marr formën e prerë më 24.03.2021”, tha avokati Gazmend Rexhepi për Gazetën Express.

Tutje, ai vlerëson se Krivaqës është dashur t’i revokohet dënimi me kusht dhe të ekzekutohet dënimi prej dy viteve burgim.

“Në këtë rast është dashur t’i revokohet dënimi me kusht i datës 03.11.2020 dhe të ekzekutohet dënimi prej 2 viteve me kusht sepse më daten 05.02.2021 deri sa ka qenë në kusht ka kryer vepër tjetër penale. Sipas Kodit penal të Kosoves ky është dashur të jetë në burg deri në tetor të vitit 2022”, tha avokati Rexhepi.

Avokati dhe familja e Marigona Osmanit janë në pritje të marrjes së raportit të autopsisë.

Gjykata Themelore e Ferizajt ua ka vazhduar edhe për dy muaj paraburgim dy të dyshuarve për vrasjen e 18-vjeçares Marigona Osmani, Dardan Krivaqa dhe Arbër Sejdiu, konkretisht deri më 21 nëntor 2021.

Marigona Osmani dyshohet se vdiq pasi i përjetoi dy ditë keqtrajtim mizor, ndërsa rasti është cilësuar si “vrasje e rëndë”.

Pas vdekjes së vajzës, këshilltarja në Ministrinë e Drejtësisë, Nazlie Balaj, ka thënë se në rastin e 18-vjeçares kemi të bëjmë me politraumë.

“Sipas informatave që i kemi ne si Ministri e Drejtësisë në të cilën është edhe Instituti i Mjekësisë Ligjore rasti i Marigonës është rast politraumë ku për dy ditë radhazi, sipas gjithmonë informacioneve, është ushtruar dhunë dhe që e ndjera ka vdekur 24 orë përpara para se të dërgohej nga të dy të dyshuarit në spitalin e Ferizajt”, ishte shprehur Balaj.

Exit mobile version