Avokati Besnik Berisha e ka quajtur abuzim skandaloz dhe krim institucional arrestimin e tre mjekëve të Spitalit të Prizrenit, nën dyshimet për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor.
Mjekët Sami Reshitaj, Gazmend Sylejmani dhe Fisnik Sinani, u denoncuan për neglizhencë nga burri i një pacienteje, pasi fëmija i tyre kishte ndërruar jetë disa minuta pasi lindi.
Berisha thotë se prokurori që ka urdhëruar ndalimin e tre mjekëve, pa pasur ekspertizë mjeko-ligjore, ka abuzuar me detyrën e tij.
“Abuzim skandaloz me te drejtat e njeriut!
Kushdo prokuror qe ka urdheruar arrestimin dhe ndalimin e mjekeve ne Prizren me dyshimin per trajtim te pandergjegjshem mjekesor, pa ekspertim mjeko-ligjor, ka kryer abuzim me detyren, ka cenuar rende te drejtat e njeriut per liri e siguri dhe ne vecanti, te drejten per t’u prezumuar i pafajshem deri ne nje vendim gjykate”, ka shkruar Berisha.
Sipas avokatit, asnjë arrestim për një vepër të tillë nuk duhet të ndodhë pa u dhënë fjala e ekspertit mjeko-ligjor, sepse kjo përbën gabim profesional.
Madje, ai thotë se prokurori i këtij rasti duhet të merret në përgjegjësi për urdhrin që ka dhënë.
“Ky prokuror/e qe ka urdheruar ndalimin s’ka lidhje me mjekesi e aq me pak me gjinekologji, s’ka shanse me provu fajesine pa e inkuadru serish mjekesine, pra ekspertat mjeko-ligjor dhe asnje arrestim apo ndalim policor per dyshime te trajtimit te pandergjegjshem mjekesor nuk duhet te ndodh pa dhene fjalen eksperti mjekoligjor.
Gabim profesional, krim institucional!
Prokurori duhet te merret ne pergjegjesi, ndryshe nuk sanohet kjo padrejtesi!”, përfundoi Berisha.