0.5 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Buy now

spot_img

Avokatët mbrojtës: Dëshmia e hetueses së ZPS-së duhet të përjashtohet

Pas përfundimit të dëgjimit të dëshmitares së parë të Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj ish-krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, trupi gjykues ka dëgjuar parashtrimet e palëve lidhur me pranimin ose jo të deklaratave të dëshmitares si prova materiale.

Nga prokuroria është bërë përmbledhja e deklaratave të dëshmitares Zdenka Pumper, ndërsa mbrojtja ka deklaruar se dëshmia e hetueses së ZPS-së nuk duhet pranuar meqë sipas tij, vlera prodhuese është më e vogël se efekti dëmtues.

Në seancën gjyqësore ndaj Hysni Gucatit e Nasim Haradinajt në Dhomat e Specializuara në Hagë, prokurorja Valeria Bolici ka ritheksuar kërkesën e ZPS-së për pranimin e disa deklaratave të dëshmitares Pumper si prova materiale.

Duke përmendur deklaratat e hetueses Pumper, prokurorja ka thënë se klasifikimi i tyre është konfidencial meqë përbëjnë referenca konkrete në lidhje me përmbajtjen e materialeve konfidenciale.

“Prova P00102 është e rëndësishme për arsyet që i përmendi dëshmitari 4841 në deklaratën e saj P89MFI, kjo është një korrespodencë që e ka marrë ZPS që përfshinë edhe fotografi të faqeve nga dokumentet nga paketat 1 dhe 4 të marra nga ZPS nga një shtëpi e mediave. Si i tillë dokumenti i mbështet faktin e shpërndarjes së informacionit konfidencial nga ana e të akuzuarave më datën 7 shtator brenda konferencës së shtypit. Dokumenti P001 dhe nota zyrtare e ZPS-së që flet për origjinën e korrespodencën konfirmojnë autenticitetin e kësaj. Autenticiteti i P00102 është trajtuar edhe nga dëshmitari 4841 gjatë dëshmisë, ZPS parashtron se këto dokumente duhet të mbeten konfidenciale meqë përmbajnë konferenca ndaj identitetit ë palëve të treta dhe mund për këtë arsye të ndikojnë në të drejtën e privatësisë si dhe të zbulojnë identitetin e pjesëtarëve të ZPS-së”, ka thënë prokurorja Bolici.

Ajo ka thënë se të gjitha faqet e nxjerra nga paketa 2, autenticiteti i tyre është vërtetuar nga dëshmitarja e që janë dokumente të marra nga OVL-UÇK më 17 shtator 2020 dhe sipas saj përbëjnë prova materiale.

Ndërsa gjykatësi Fergal. M. Gejnor ka thënë se gjyqi është publik andaj provat materiale të pranuara duhet të jenë të qasshme nga publiku.

“Gjyqi është gjyq publik, të akuzuarit kanë të drejtë të kenë një gjyq publik dhe një aspekt i gjyqit publik është që të gjitha provat materiale të pranuara të jenë të qasshme nga publiku, të disponueshme për publikun. Prandaj lidhur me redaktimet që propozoni dua të ju kujtoj që këto redaktime t’i mbani absolutisht në minimum”, ka thënë gjyqtari.

E pas përmbledhjes së deklaratave të dëshmitares Pumper, avokatët mbrojtës së Gucatit dhe Haradinajt kanë bërë parashtrimet e tyre.

Avokati i Gucatit, Jonathan Elystan Rees ka thënë se dëshmia e koordinatores së hetimeve në ZPS, Zdenka Pumper nuk duhet të pranohet.

“Tërësia e dëshmisë së zonjës Pumper, qoftë me gojë, qoftë me dokumente duhet përjashtuar, nuk duhet të pranohet sipas rregullës 138 nënrregullës 1. Rregulla 13(1) parashikon se dëshmia nuk duhet të pranohet nëse vlera prodhuese është më e vogël sesa efekti dëmtues, unë do të mbështetëm në rregullën 138 në lidhje me dokumentet, në fakt baza për provueshmëri nuk është vërtetuar. Në lidhje me parashtrimin e parë zonja Pumper u thirr në emër të ZPS-së dhe dëshmoi për të përmbledhur në fakt 4 siç i quan ajo paketat 1,2,3,4, shumica e të cilave nuk janë provuar si dokumente prova materiale, trupi gjykues nuk ka qasje në to për të bërë vlerësimet e tyre, as mbrojtja gjithashtu nuk është në gjendje t’i kontrollojë pohimet e saj lidhur me përmbajtjen e këtyre dokumenteve”, ka thënë avokati Rees.

Sipas tij, me veprimin e përmbledhjes së dokumenteve, dëshmitarja Pumper ka dhënë një opinion për përmbajtjen e tyre.

Mbrojtja ka thënë se në këto rrethana, dëshmitarja nuk mund të nxjerrë konkluzione për dokumentet.

“Parashtrojmë se kur përgatitet një përmbledhje e një dokumenti të tillë nga një palë, e cila do ta përdorë, kjo nuk duhet quajtur i besueshëm kur materiali nuk është provë materiale përpara trupit gjykues, i cili mund të marrë mendim, që trupi gjykues të mbështetet me një përmbledhje të tillë dhe të nxjerrë vlerësimin e saj perceptimi i publikut do të ishte se një vendim i tillë është i pasigurt dhe këto janë fjalët e trupit gjykues të apelit në rastin e Milosheviqit, referenca gjendet në poshtëshënimin 7, parashtrimi 007, dhe ne mendojmë që kjo është situata ku gjykata e gjen vetën duke pasur dëshmi të tilla si ajo e zonjës Pumper, nuk është një vlerësim i pavarur”, ka thënë avokati Rees.

Parashtrimin e avokatit Rees e ka mbështetur në tërësi mbrojtja e Nasim Haradinajt, Toby Cadman,

Seanca gjyqësore ndaj Gucatit e Haradinaj do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të radhës.

Pas koordinatores së hetimeve në ZPS, dëshmitares së parë Zdenka Pumper, për dy ditë ka dëshmuar Halil Berisha, ish-gazetar dhe redaktor në Gazetën Infokus, ndërsa sot vazhdon dëgjimi i dëshmitarit të tretë.

Ish-krerët e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Gucati e Haradinaj akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, konkretisht për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Në organizatën që ata drejtonin kishin arritur disa pako që pretendohej të ishin me dokumente që kishin rrjedhur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Të gjitha këto ata i kishin bërë publike përmes konferencave për media dhe paraqitjeve të tjera publike.

Artikuj të ngjashëm

- Marketing -spot_img
- Marketing -spot_img

Artikujt e fundit

- Marketing -spot_img