Mbrëmë u raportua se operatorë ekonomikë të Transportit nga Kosova do të angazhohen sot për transportin e serbëve të Kosovës në Serbi, për të votuar në referendum.
Njëri nga këta operatorë ekonomikë sipas Gazetës Sinjali është “Barileva Turist” që ka angazhuar 15 autobusë për të bërë transportin e serbëve të Kosovës.
Këto janë pamje nga pika kufitare në Merdar, ku shihen autobusët e kësaj kompanie teksa kanë marrë rrugën për Serbi.
Marrëveshja për transportin e serbëve të Kosovës është arritur mes kompanive kosovare dhe zyrtarëve nga e ashtuquajtura Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
Por, për një gjë të tillë nuk e kanë as bazën e duhur ligjore.
Legjislacioni nuk lejon që operatorët që nuk kanë linjë të rregullt të bëjnë transportimin e udhëtarëve jashtë shtetit, andaj një veprim i tillë mund të ketë pasoja për operatorët që zgjedhin të bëjnë transportin e udhëtarëve pa leje paraprake nga ministria e Infrastrukturës.